Planifikuan sulme terroriste në Kosovë/Aktakuzë ndaj pesë personave

  • A.P /
  • 23 December 2022 - 16:20
Planifikuan sulme terroriste në Kosovë/Aktakuzë ndaj pesë personave

Kundër pesë të pandehurve me inicialet A.Gj., E.S., N.S., M.B dhe Sh.K, për vepra të ndryshme penale, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Të pandehuri, A.Gj., E.S., N.S dh M.B., gjatë periudhës kohore nga muaji mars 2021 e deri më 10.10.2021, fillimisht kanë bërë përpjekje për të bërë një strukturë organizative për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë, duke kontaktuar me një person me gradë të lartë të organizatës terroriste ISIS – Zyra për Marrëdhënie me jashtë, janë angazhuar për sigurimin e armatimit të llojeve të ndryshme.  Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, nga neni 138 paragrafi 1 lidhur  me veprën penale  ‘’Kryerja e veprës terroriste’’ nga neni 129 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërkaq, të pandehurit E.S dhe A.Gj., pa autorizim, kanë siguruar dhe mbajtur në kontroll duke i fshehë dhe groposur në bure plastike e të izoluara mirë arsenal të armëve të zjarrta dhe municion të llojeve të ndryshme. Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 2 lidhur me paragrafin  1 e nenin 31 të KPRK-së.

I pandehuri A.Gj., akuzohet për veprën penale ‘’Mos lajmërim i përgatitjes së veprave penale’’ nga neni 377 paragrafi 2 nën paragrafi 2.1 e 2.4 lidhur me paragrafin 1 KPRK-së, për shkak se i njëjti nga muaji tetor 2020 e deri më 02.11.2022 ka qenë në dijeni se i pandehuri (tash i ndjeri) K.F, ishte duke përgatitur akte terroriste në Vjenë të Austrisë.


I pandehuri N.S., akuzohet për veprën penale ‘’Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit’’ neni 131 paragrafi 1 KPRK-së, për shkak që më 07.10.2021, në magjistralen Prizren-Suharekë, në rrugën “Ukë Bytyqi”  në mënyrë të drejtpërdrejtë ia ka dorëzuar shumën e të hollave prej dymijë (2000) euro të pandehurit Sh.K. në emër të blerjes së armëve të zjarrta.

I pandehura M.B., akuzohet se ka kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 2 të KPRK-së, për shkak se në kohën e pa vërtetuar më parë pa autorizim në shtëpinë e tij në Prizren ka siguruar dhe mbajtur në pronësi sasi të konsiderueshme – arsenal armësh të llojeve të ndryshme.

I pandehuri Sh.K., akuzohet se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”  nga neni 364 paragrafi 2 të KPRK-së, për shkak se më 10.10.2021 në kundërshtim të Ligjit të zbatueshëm në lidhje me armët apo materiet plasëse ka siguruar me qëllim të shtijës armët e zjarrta të llojeve të ndryshme, si dhe ka pranuar shumën e të hollave prej dymijë (2000) euro.

(Kosova Sot Online)