I shkaktuan shtetit 1.2 mln euro dëm, zbardhet dosja. Si u arrestuan zyrtarët e Ministrisë së Financave, mes tyre dhe sekretari i Përgjithshëm

  • E.K /
  • 12 January 2023 - 10:30
I shkaktuan shtetit 1.2 mln euro dëm, zbardhet dosja. Si u arrestuan zyrtarët e Ministrisë së Financave, mes tyre dhe sekretari i Përgjithshëm

NIKOLETA KOVAÇI/ Dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Financave dhe një përmbarues kanë rënë në pranga pas hetimeve që u ndërmorën për një biznesmen.

Vetëm pak javë më parë, Prokuroria e Tiranës bëri me dije se kishte ndërhyrë për sekuestrimin e një sasie të madhe lekësh dhe kishte urdhëruar prangosjen e shtetasit Ilir Thana, ndërkohë që u bë me dije që dokumentet që kishin sjellë përfitimin e asaj shume parash ishin firmosur nga zyrtarë të Ministrisë së Financave. Ishte prokurori Ndini Tavani, ai që i ka kërkuar Gjykatës miratimin e urdhërarresteve për sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, nën akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’.

Po sipas të dhënave të kësaj Prokurorie bëhet me dije se bashkë me Gjokutajn, në pranga kanë rënë edhe përmbaruesi Alban Ruli si dhe drejtori juridik i Ministrisë së Financave, Fatmir Hoxhaj. Këta persona dyshohet se firmosën dokumente për t’i kaluar 1.2 mln euro shtetasit Ilir Thana, duke e trajtuar si ishpronar, por që nuk e kishte një status të tillë. Nga kjo shumë, Ilir Thana, gjithnjë sipas të dhënave hetimore, ka marrë vetëm 400 mijë €, teksa sekretarit të Përgjithshëm, përmbaruesit dhe drejtorit, ai dyshohet se iu dha ryshfet plot 82 mln lekë. Sipas hetimit mësohet se pjesa tjetër e parave Ilir Thanës do t’i kalonte në muajt në vijim, por skema e mashtrimit u pikas e për pasojë edhe u ndërhy fillimisht për të vënë në pranga Thanën dhe më pas edhe tre personat e tjerë.

SKEMA

Sipas të dhënave të publikuara nga Prokuroria bëhet me dije se tre zyrtarët u arrestuan me akuzën për shpërdorim detyre. Arrestimet vijnë pas hetimeve mbi të pandehurin Ilir Thana, i cili akuzohet për mashtrim dhe hetimet kishin nisur edhe për zyrtarë të zyrës përmbarimore dhe Ministrisë së Financave, të cilët me veprimet e bëra në kundërshtim me ligjin, thuhet se i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm që kap shifrën 1.2 milionë euro. Prokurori Ndini Tavani ka firmosur arrestimin e tyre ndërkohë që është zbatuar ditën e djeshme.

Bëhet fjalë për një veprim të kryer nga ana e tyre në shtator 2022 kur ata vendosën të kompensojnë një qytetar për një godinë që ishte kompensuar më herët. Mësohet se shuma prej 480 milionë lekësh që iu kalua shtetasit Ilir Thana nga hetimet e deritanishme të prokurorit Ndini Tavani vlerësohet si një vjedhje në Buxhetin e Shtetit. I dyshuari Thana thuhet se dyshohet se u ndihmua për mashtrimin nga zyrtarë, por edhe përmbarues, edhe ata nën hetim. Sipas hetimeve, në qershor 2022 funksionarë të tjerë si drejtorë të buxhetit dhe të ankesave gjyqësore u paralajmëruan nga një specialiste e thjeshtë që iu tregoi statusin e objektit të një magazine, për të cilën kanë vazhduar të dalin miliona nga buxheti i shtetit. Godina, sipas Prokurorisë, iu shit të arrestuarit Thana mbi 1 milion lekë nga Drejtoria e Shërbimit Qeveritar në prill 1992 e së bashku me të edhe një truall.

Por, tre vjet më vonë, Komisioni i Kthimit e Kompensimit të Pronave ua ktheu ndërtesën ish-pronarëve, një vendim i cili u mbështet edhe nga gjykata që urdhëroi kthimin e parave që blerësi kishte harxhuar në atë kohë, të konvertuara me indeksin e rritjes së çmimeve. Edhe pse qytetari u pagua në 2015-n nga Ministria e Financave, në 2022, pavarësisht kësaj, së bashku me një zyrë përmbarimore, nën hetim, u krye rivlerësimi duke i vendosur çmimin prej 145 milionë lekëve të reja që shteti duhet t’ia paguante sërish. Burimet thonë se e njëjta ministri i kaloi sërish 480 milionë lekë Thanës dhe së motrës, duke i sjellë shtetit një dëm të konsiderueshëm.

Dosja, si shkoi Prokuroria te gjurmët e 2 zyrtarëve dhe përmbaruesit

Prokuroria Tiranë kërkon “Arrest me burg” për zyrtarët publikë dhe përmbaruesin për “Shpërdorim detyre”. Me kërkesë të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u caktua masa e sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin, A.GJ., Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, shtetasin F. H., drejtor i Shërbimeve mbështetëse dhe i çështjeve ligjore dhe A.R., përmbarues gjyqësor privat, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal.

Këta shtetas kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e shtetasit I. TH., në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status, si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 8586/2022 për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 320 të K.Penal.

Nga aktet e këtij procedimi, rezultoi se: Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin e saj nr. 16, datë 14.07.2000, ka vendosur: “Urdhërohet zgjidhja e pasojave për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitjes datë 23.04.1992 të lidhur mes shitësve Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe A.K Privatizimit dhe blerësit I.Th., duke i kthyer palët në gjendjen e mëparshme, ku objekti magazinë nr.2 i kthehet Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe kjo e fundit së bashku me AKPnë t’i kthejë blerësit I.Th. vlerën e objekteve të blera (magazine dhe truall) që është 103.046 lekë të konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve në kohën e ekzekutimit të vendimit”. Ministria e Financave dhe e Ekonomisë ka ekzekutuar vendimin nr.9150 datë 12.11.1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, duke shlyer detyrimin e plotë ndaj kreditorit I.Th. sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT.

Në zbatim të vendimit të mësipërm, nga Ministria e Financave është transferuar në llogaritë në llogaritë e I.Th. vlera prej 284.139 me urdhër shpenzimi nr.90, datë 27.02.2015. Më tej, rezulton se shtetasi I. Th. është drejtuar zyrës përmbarimore, e cila në kundërshtim flagrant me ligjin ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920, duke u hequr dhe trajtuar si ish-pronar shtetasin I. Th. në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status. E gjithë vlera e përcaktuar për t’u dhënë këtij shtetasi është e përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro. Deri në këtë fazë rezulton se Ministria e Financave ka kaluar në favor të shtetasit I. Th. shumën 48.118.366 lekë.

Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të shtetases Sh.P. Organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur. Organi procedues ka urdhëruar sekuestrimin e shumës se kaluar shtetasit I. Th. dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka urdhëruar ndalimin e shtetasit I.Th., për veprat penale të parashikuara nga nenet 134/3 dhe 320 të K.Penal si dhe vazhdon hetimet në lidhje me përgjegjësinë penale të personave të tjerë..

(Kosova Sot Online)