Hajdutët kosovarë po bëjnë kërdi në mes të Tiranës, dy të arrestuar akuzohen për vjedhje

  • S.A /
  • 16 January 2023 - 10:58
 Hajdutët kosovarë po bëjnë kërdi në mes të  Tiranës, dy të arrestuar  akuzohen për vjedhje

Në orët e fundit është raportuar se dy shqiptarë nga Kosova janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohen se i vodhën portofolin një personi në një qendër tregtare. Po ashtu, sipas policisë, ata janë përgjegjës edhe të një vjedhjeje tjetër si dhe të një të trete të mbetur në tentativë, shkruan "Kosova Sot Online".

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kallëzimit të marrë nga një shtetas, për vjedhjen e portofolit të tij, në një qendër tregtare, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Gracka’. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A.K., 46 vjeç dhe D.Sh., 51 vjeç, të dy banues në Kosovë. Këta shtetas, ditën e djeshme, në një qendër tregtare, i kanë vjedhur portofolin shtetasit K.M.”, njoftoi policia.

Nga verifikimet hetimore, shtuan të njëjtat burime, ka rezultuar se 2 të arrestuarit janë autorë edhe të dy ngjarjeve të tjera të ndodhura ditët e fundit, konkretisht: më datë 11.01.2023, i kanë vjedhur shumën 450 euro shtetasit F.B., ndërsa më datë 12.01.2023, kanë tentuar të vjedhin një shumë parash, në një lokal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 590 euro dhe 25 000 lekë të rinj.

(Kosova Sot Online )