SHBA vendosin sanksione kundër kompanisë ushtarake private ruse Wagner Group

  • A P /
  • 20 January 2023 - 21:52
SHBA vendosin sanksione kundër kompanisë ushtarake private ruse Wagner Group

Shtetet e Bashkuara do të vendosin javën e ardhshme sanksione shtesë kundër kompanisë ushtarake private ruse Wagner Group, për të cilën zyrtarët amerikanë thonë se ka ndihmuar ushtrinë ruse në luftën ndaj Ukrainës, tha Shtëpia e Bardhë të premten.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Departamenti i Thesarit do ta përcaktojë grupin Wagner, si një Organizatë Kriminale Ndërkombëtare.

“Përveç këtij përcaktimi, ne do të vendosim gjithashtu sanksione shtesë javën e ardhshme kundër grupit Wagner dhe rrjetit të tij në shumë kontinente. Këto masa janë në përgjigje të kërcënimit ndërkontinental që paraqet Wagner, përfshirë modelin e tij të aktivitetit të rëndë kriminal,” tha zoti Kirby në konferencën e përditshme për shtyp të Shtëpisë së Bardhë.

Përcaktimi i grupit mercenar Wagner si Organizatë Kriminale Ndërkombëtare sipas urdhrit ekzekutiv 13581 të SHBA-së ngrin çdo pasuri të tij në SHBA dhe u ndalon amerikanëve të japin fonde, mallra ose shërbime për grupin.

(Kosova Sot Online)