Mashtrimi me Call Center/ U morën 135 mijë euro 2 spanjollëve, identifikohen autorët, mes tyre një shqiptar

  • S.A /
  • 21 January 2023 - 09:25
Mashtrimi me Call Center/ U morën 135 mijë euro 2 spanjollëve, identifikohen autorët, mes tyre një shqiptar

Pas hetimeve të ngjarjes, agjentët e Brigadës Krahinore të Policisë Gjyqësore nga komisariati i Lugos në Spanjë, kanë arritur të identifikojnë një shtetas shqiptar, autorin e dyshuar kryesor të mashtrimit, përcjell "Kosova Sot Online ".

Mashtrimi i të huajve nëpërmjet Call Ceterave vijon në shumë shtete. Mediat e huaja kanë raportuar sot se viktimat e radhës kanë qenë dy shtetas spanjollë nga Lugo. Bëhet fjalë për mashtrimin me anë të kriptovalutave, ndërsa mësohet se autorët e përfshirë ndodhen në Shqipëri, Belgjikë dhe Francë. Pas hetimeve të ngjarjes, agjentët e Brigadës Krahinore të Policisë Gjyqësore nga komisariati i Lugos kanë arritur të identifikojnë një shtetas shqiptar, autorin e dyshuar kryesor të mashtrimit.

Ata lëshuan një letër porosi për ta gjetur dhe për ta ndaluar këtë person. Mësohet se ata përdorën metodën e simulimit për të bindur viktimat se po fitonin para nga investimi i tyre në kriptovaluta, gjë që nuk ishte e vërtetë, ndërsa shumë e përfituar nga autorët raportohet të jetë 135 mijë euro.

Viktima e parë ka mbërritur në komisariat me pretendimin se i janë marrë përmes mashtrimit rreth 40 mijë euro. Sipas versionit të tij, ata e bindën të kontribuonte shumën e madhe duke i treguar rezultatet e mira të arritura me klientët e tjerë. Sapo investoi, ata aktivizuan mekanizmat e njohur si metoda e simulimit, dhe i treguan rezultate pozitive, por false.

Me këtë taktikë, mashtruesit i treguan këtij personi një bursë të supozuar virtuale, në të cilën investimi i tij u rrit. Duke parë këtë simulim, personi i dëmtuar u bind që të mund të vijonte procesin. Problemi lindi në momentin që ai kërkoi të tërhiqte paratë, moment kur mashtruesit u zhdukën.

Pas marrjes së parave, kriminelët kibernetikë i shndërruan 40 mijë eurot në monedha të ndryshme virtuale dhe i shpërndanë përmes kuletave të ndryshme online. Në këtë mënyrë, ata diversifikuan vendndodhjen e parave të mashtruara, duke e bërë më të vështirë për hetuesit gjetjen e tyre.

Ata përdorën kuleta të ndryshme, të gjitha të varura nga e njëjta llogari ‘prind’, por jo të lidhura drejtpërdrejt me të. Në këtë mënyrë shmangin kontrollet e subjekteve mbikëqyrëse kombëtare të vendit nga i cili tërheqin paratë dhe të atij që i merr. Kështu, ato e bëjnë të pamundur gjetjen e një llogarie dhe paralizimin e transfertave.

Rasti i dytë i raportuar së fundmi në Lugo është edhe më i rëndë. Në këtë denoncim, personi i prekur pretendonte se dhjetorin e kaluar kishte humbur rreth 95 mijë euro si pasojë e mashtrimit.

Skema ishte e njëjtë. Mashtruesit përdorën një treg fals në internet dhe u larguan me paratë e viktimës. Ata e transformuan atë në kriptovaluta të ndryshme dhe e shpërndanë nëpër kuleta të ndryshme për të shmangur kontrollet. Burimi: Lavozdegalicia.es

(Kosova Sot Online )