Zbardhen detaje, cila ishte e kaluara e 48-vjeçarit Nysret Cena të vrarë natën e mbrëmshme në Kaçanik

  • S.A /
  • 24 January 2023 - 12:53
Zbardhen detaje, cila ishte e  kaluara e  48-vjeçarit Nysret Cena të vrarë natën e mbrëmshme në Kaçanik

Ish-vetarani i UÇK-së Nysret Cena 48-vjeçar, u vra mbrëmë me breshëri plumbash në veturë në Kaçanik të Vjetër nga persona të panjohur dhe për motive të panjohura deri më tani. Emri i tij, nuk është i padëgjuar për organet e drejtësisë në vend. Nysret Cena ishte i akuzuar për vrasjen e trefishtë afër Kaçanikut, ndodhur në vitin 2007. Por, i njëjti ishte liruar nga akuza. Ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamiah pretendonte se gjyqtarit italian Francesco Florit iu dha ryshfet prej 300,000 euro për të “pastruar” të tre të dyshuarit për vrasjen e trefishtë të asaj kohe, por ishte liruar vetëm Cena, transmeton "Kosova Sot Online".

Në një artikull të vitit 2014, “Ballkan Insight” shkruante se dy burra, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, të dy ish-pjesëtarë të njësisë speciale të Kosovës, u dënuan për vrasjet. Në atë kohë, ata tashmë po vuanin dënimet për organizimin e shpërthimit të një bombe në bulevardin Bill Clinton në Prishtinë në vitin 2007, i cili vrau dy persona.

Megjithatë, i dyshuari i tretë në rastin e vrasjes së trefishtë Baftiu, Nysret Cena, u lirua.

Prokurorja e suspenduar e EULEX-it, Maria Bamiah pretendoi se gjyqtarit italian Francesco Florit iu dha një ryshfet prej 300,000 euro për të pastruar të tre të dyshuarit, por vetëm Cena u lirua.

Pohimet e Bamiah ishin mbështetur nga Flurim Asani, vëllai i Besnik Hasanit.

“Unë shkova në Shqipëri me avokatin tim Mahmut Halimi i cili u takua me Francesco Florit në portin e Durrësit dhe ata hipën në një varkë dhe patën një takim për katër orë. Ky takim ishte për të negociuar se sa para do të paguanim për lirimin e të tre të dyshuarve, përfshirë vëllain tim,” kishte thënë Hasani për BIRN.

Në raportim shkruan se kur BIRN kishte kontaktuar me ish të dyshuarin Nysret Cena, ai kishte mohuar gjithçka.

Policia e Ferizajt njoftoi sot se nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shti breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin Nysret Cena e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

“Jo larg vendit të ngjarjes në fshatin Soponicë të Kaçanikut është gjetur edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flaka, ku ekziston dyshimi se personat e dyshuar pasi e kanë kryer vrasjen në Kaçanik të Vjetër i kanë vënë flakën automjetit dhe janë larguar”, u tha në njoftim.

Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

(Kosova Sot Online )