Konjufca me delegacionin parlamentar në Këshillin e Evropës

  • A.P /
  • 24 January 2023 - 21:05
Konjufca me delegacionin parlamentar në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka njoftuar se bashkë me delegacionin e përbërë nga nënkryetarja Saradna Bogujevci dhe përfaqësuesit e partive politike, ka nisur ditën e parë të vizitës në Këshillin e Evropës, ku janë pritur nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Tiny Kox dhe sekretarja e përgjithshme, Despina Chatzivassiliou.

Gjatë ditës, Konjufca ka njoftuar se janë zhvilluar edhe takime të tjera.

“Sot ishte dita e parë e vizitës në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg të Francës. Bashkë me nënkryetaren e Kuvendit dhe kryesuesen e delegacionit të Kosovës, Saranda Bogujevci, si dhe anëtarët – Ariana Musliu Shoshi, Besnik Tahiri e Enis Kervan, u mirëpritëm në një takim të veçantë nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Tiny Kox dhe Sekretarja e Përgjithshme, Despina Chatzivassiliou.  Gjithashtu, zhvilluam takime të veçanta me Kryesuesin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, Zsolt Németh, Kryesuesin e Grupit Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën, Iulian Bulai, me deputetin nga radhët e delegacionit gjerman në APKE, Knut Abraham, si dhe me George Papandreun nga radhët e delegacionit grek, njëherësh edhe raportues për Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ai.

Sipas kryekuvendarit, në këto takime është diskutuar për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, mbështetjen e nevojshme që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit, progresin për respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, gjë që dëshmohet nga raportet ndërkombëtare, si dhe tema të tjera me interes për thellimin e bashkëpunimit me Këshillin e Evropës.

“Takimet përmbajtësore, të hapura dhe të sinqerta ishin mundësi e mirë për shpalosjen e të arriturave dhe objektivave të Republikës së Kosovës drejt integrimit euroatlantik.  Morëm mbështetje për përpjekjet tona që të anëtarësohemi në KiE, e po ashtu u vlerësua rëndësia dhe domosdoshmëria e anëtarësimit pa vonesë të Republikës së Kosovës në këtë organizatë”, ka shkruar ai në fund.

(Kosova Sot Online)