Prokuroria e Tiranës, në kërkim të pronarit të 404 mijë eurove pa zot! Dëshmitarët refuzojnë që gruaja e arrestuar t’u ketë vjedhur para në banesë

  • E.K /
  • 28 January 2023 - 15:24
Prokuroria e Tiranës, në kërkim të pronarit të 404 mijë eurove pa zot! Dëshmitarët refuzojnë që gruaja e arrestuar t’u ketë vjedhur para në banesë

NIKOLETA KOVAÇI/ Askush nuk iu del për zot 404 mijë eurove që u gjenden në tubin e aspirimit në shtëpinë e Rozeta Dobit, gruas 49 vjeçe që u arrestua për vjedhje të banesës së zyrtares së qeverisë.

Prokuroria e Tiranës më kot ka marrë në pyetje disa persona, të cilët e kanë pasur të punësuar gruan me të njëjtin mision siç edhe Alda Klosi, e cila e kallëzoi Dobin se i kishte vjedhur në banesë paratë e xhaxhait të saj, i cili vuan nga një sëmundje e rëndë dhe ndodhet në Amerikë për kurim. Grupi hetimor pasi ka marrë telefonin e Rozeta Dobit dhe i ka nxjerrë të gjitha kontaktet e personave që e kanë pasur të punësuar 49- vjeçaren, ka hartuar një listë për t’i pyetur të gjithë. Nisja e marrjes në pyetje të tyre ka nisur ditët e fundit, ndërkohë që do të vijojë edhe në ditët e para të javës.

Deri më tani, asnjë nga të pyeturit, shumë prej të cilëve mësohet se janë zyrtarë të lartë në dikastere të ndryshme kanë dëshmuar, por pa iu dal për zot parave që kanë mbetur “jetime” në Policinë e Tiranës. Shifra prej 404 mijë euro është gjetur në banesën e Dobit pas kontrollit të dytë, për të cilat pastruesja në fakt tha se gjithçka që është gjendur në shtëpinë e saj janë marrë në banesën e Alda Klosit. Por, kjo e fundit e kundërshtoi deklaratën e pastrueses së pajtuar prej saj, duke thënë se në banesën e saj janë vjedhur vetëm 120 mijë euro, që ishin paratë e xhaxhait të saj, para që ia kishte çuar për mobilimin e shtëpisë, ndonëse ai gjendet në Shtetet e Bashkuara për kurim.

HETIMET

Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për të zbuluar se kush është pronari i shumës prej 404 mijë eurosh që u zbuluan në tubin e aspiratorit në shtëpinë e pastrueses Rozeta Dobi, e cila përfundoi në pranga bashkë me të birin Havierin, për vjedhjen e shtëpisë së Alda Klosit, ish-shefe e Kabinetit të ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj. Në celularin e të dyshuarës janë zbuluar edhe zyrtarë të tjerë, por edhe qytetarë të thjeshtë, shtëpitë e të cilëve Dobi i pastronte prej kohësh, të gjitha ata janë thirrur në organin e akuzës, dhe disa prej tyre kanë deklaruar se janë vjedhur vetëm bizhuteri, ndërsa të tjerë kanë deklaruar se në banesat e tyre nuk është marrë asgjë.

Për pastruesen Rozeta Dobi Policia dhe Prokuroria thonë se ka vjedhur shumën prej 120 mijë eurosh në shtëpinë e ish-zyrtares Klosi, ndërsa ende nuk është mësuar se kujt i përket shuma e majme e parave që u zbulua pas përgjimit ambiental të nënë e bir. Në fakt, vetëm një person doli publikisht, duke e akuzuar gruan se i kishte vjedhur unazën që i kishe bërë dhuratë bashkëshortja e tij, ndërkohë që në polici denoncuan edhe dy familjarë të afërt të Alda Klosit, të cilët nuk pranuan që Rozeta t’u kishte vjedh para, por vetëm sende me vlerë. Hetimet vijojnë, ndërkohë që Rozeta dhe i biri i saj Havieri janë lënë në masën e arrestit me burg nga ana e Gjykatës.

DYSHIMET

Prokurori,a e cila po heton krahas vjedhjes edhe për veprën penale të pastrimit të parave, ka urdhëruar kontrollin e disa banesave, ndërsa pret përgjigje nga bankat e nivelit të dytë, për të parë nëse e dyshuara dhe i biri kanë llogari bankare dhe sa është shuma në këto llogari. Ndërsa është kërkuar informacion në banka, por edhe në Kadastër, për llogaritë bankare dhe pasuritë që zotëron Alda Klosi, por edhe zyrtarë të tjerë në shtëpitë e të cilëve punonte si pastruese Rozeta Dobi.

Kjo e fundit, po mbahet nën masën e arrestit me burg bashkë me të birin 21-vjeçar Havier Dobi, i cili shfaqte luks në rrjetet sociale, pasi kishte shpenzuar shuma të mëdha parash nga ato që kishin vjedhur në banesat e zyrtarëve. 49-vjeçarja është e vetmja, që mund të hedhë dritë mbi misteret e kësaj ngjarjeje dhe të sqarojë se kush është pronari i shumës së majme, por ajo ka refuzuar të flasë, edhe pse Prokuroria i ka ofruar lehtësi në dënimin e të birit, nëse ajo bashkëpunon.

(Kosova Sot Online)