Cilat janë qëllimet e Asociacionit?

  • A.P /
  • 30 January 2023 - 18:06
Cilat janë qëllimet e Asociacionit?

Fondacioni gjerman “Friederich Elbert Stiftung” ka dhënë detaje, duke treguar se si do mund të dukej Asociacioni i komunave me shumicë serbe po të formohej, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sot fondacioni gjerman FES ka dhënë një version se si do të mund të ishte ai. Ndërsa nesër, në Ambasadën amerikane në Prishtinë mblidhen të ftuarit e saj për të diskutuar rreth formimit të Asociacionit, pa aprovimin e Qeverisë.

Drejtuesit e FES-it, në prezantimin e sotëm në kryeqytet thanë se ai është në një linjë me Kushtetutën, ka parasysh shqetësimet dhe kërkesat e komunitetit serb dhe është në linjë me marrëveshjet e Brukselit, marrëveshjen e parimeve të vitit 2013.

Po ashtu ata thanë se ka “pasur tendenca këtë draft për ta ndërlidhur me faktorë tjerë dhe se ka qenë i porositur prej dikujt”.

Drafti i FES-it nis me fjalinë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin ligjor të Kosovës.

Statutin do ta miratojë Kuvendi i themeluar i Asociacionit, që do të përbëhet nga përfaqësues të zgjedhur të komunave me shumicë serbe, që do të jenë nën kupolën e Asociacionit.

“Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të marrë pushtetin e një Qeverie rregullore sipas sistemit juridik të Kosovës pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në nenin e parë të draft-dokumentit.

Kuvendi i Asociacionit mund ta ndryshojë statutin e tij.

Emrat zyrtarë të këtij entiteti do të jenë: “Asociacioni/Bashkësia e Komunave të Republikës së Kosovë, në të cilat komuniteti serb është shumicë”, “Bashkësia e Komunave në Republikën e Kosovës, në të cilin komuniteti serb i Kosovës është në shumicë” dhe “ Asociacioni i Komunave Serbe në Republikën e Kosovës, në të cilat Komuniteti serb i Kosovës është në shumicë”.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale

Qëllimet e Asociacionit

Neni 3 i draft-dokumentit përfshin të gjithë objektivat që i ka Asociacioni i komunave me shumicë serbe. 

Një nga të parat është “Promovimi dhe mbrojtja e etnisë, gjuhës, fesë, dhe formave të tjera të identiteteve kulturore të përfaqësuara në mesin e popullsisë së bashkive pjesëmarrëse”.

Te qëllimet përfshihen shumë sfera, me theks të veçantë ekonomia, arsimi, shëndetësia.

Në një nga pikat te objektivat e Asociacionit thuhet se ai “Ushtron pasqyrë të plotë për të zhvilluar ekonominë lokale”.

Drafti thotë se Asociacioni e ushtron këtë funksion nëpërmjet lehtësimit të bashkëpunimit ndërmjet bashkive pjesëmarrëse, duke i mbështetur ato në “projektim të projekteve, politikave dhe masave që zhvillojnë ekonomitë lokale të tyre ose duke ndihmuar në angazhimin e burimeve financiare dhe njerëzore të rëndësishme për ekonominë shërbimet, financimin dhe promovimin e aktiviteteve për rritjen e zhvillimit ekonomik, investimeve dhe lidhjet biznesore dhe përfaqësimin e interesave të bashkive pjesëmarrëse dhe të aktorëve ekonomikë të vendosur në territoret e tyre në marrëdhënie me autoritetet qendrore dhe operatorët ekonomikë në rajon dhe më gjerë, duke përfshirë ato nga Republika e Serbisë”.

Asociacioni ushtron pasqyrë të plotë edhe në fushën e arsimit.

Një nga ankesat që i janë bërë përfaqësuesve të FES-it për draftin sot, e që është edhe shqetësimi kryesor i shprehur i Kryeministri Kurti, është formimi i një bashkësie njëetnike përbrenda shtetit. Në disa pika, ky draft përmend përfshirjen e etnive të tjera që jetojnë në disa prej 10 komunave, që pritet të jenë pjesë e Asociacionit.

Te trajtimi i Arsimit thuhet se Asociacioni duhet të ofrojë të njëjtin shërbim për arsimin në shqip dhe gjuhë të tjera, nëse ka nevojë.

“Lehtësimi dhe/ose financimi i transportit dhe shpërndarjes së teksteve arsimore lidhur me kurrikulën serbe të arsimit sipas ligjit të Kosovës. Kuvendi/Komuniteti do të ofrojë të njëjtin shërbim për arsimin kurrikular të Kosovës në shqip dhe gjuhë të tjera nëse ka nevojë për ndonjë grup banorësh të bashkive pjesëmarrëse në të”, thuhet në draft.

Në disa prej objektivave të Asociacionit përmendet ndërlidhja që atij i lejohet ta bëjë me Serbinë për përmbushjen e tyre. Edhe te objektivi i arsimit, thuhet se Asociacioni mund të ketë,“ndërlidhje me palët e tjera, përfshirë autoritetet arsimore të Republikës së Serbisë, për përmbushjen e këtij objektivi”.

Në draft-dokument thuhet se Asociacioni “ushtron një pasqyrë të plotë për të përmirësuar kujdesin shëndetësor parësor dhe sekondar lokal dhe atë social”.

Është një listë e gjatë e funksioneve që parashihet në kryhen në këtë sektor. Disa prej tyre janë financimi dhe lehtësimi i ngritjes së kapaciteteve dhe trajnimit profesional të personelit mjekësor, financimi i projekteve ndërtimore dhe infrastrukturore, mbështetja financiare për mirëmbajtjen e objekteve mjekësore.

Sipas nenit 4 të draft-statutit, “në asnjë mënyrë nuk do të zëvendësojë apo minojë marrëdhëniet e parashikuara me Kushtetutë dhe me ligj ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale në Republikën e Kosovës”

Kush e drejton Asociacionin?

Asociacioni përbehet nga Kuvendi i Asociacionit, Kryetari i Asociacionit; Nënkryetar i Asociacionit; Këshilli i Asociacionit; Bordi i Asociacionit; Zyra për Ankesa dhe Parashtresa e Asociacionit.

Kuvendi i Asociacionit përbëhet nga përfaqësues të emëruar nga secili kuvend i komunave pjesëmarrëse në mesin e anëtarëve të tyre të zgjedhur dhe pasqyron përbërjen e kuvendeve komunale.

Kush do të financojë Asociacionin?

Në draftin e FES-it është vendosur një listë e gjatë e qëllimeve që do t’i ketë Asociacioni. Burimet financiare për funksionimin e Asociacionit, siç i parasheh statuti, do të jenë të ndryshme.

Asociacioni, thotë drafti, do të financohet nga kontributet nga anëtarët e tij, të ardhurat nga shërbimet e kryera nga Asociacioni, ose nga pasuritë e tij të luajtshme dhe të paluajtshme, transaksionet nga autoritetet qendrore, kontributet, grantet, donacionet, dhe, gjithashtu përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat e tjera, të brendshme dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe Republikën e Serbisë.

 Po ashtu, te pjesa e financimit thuhet se “Asociacioni/bashkësia do të përjashtohet nga taksat dhe detyrimet për arritjen e objektivave të tij, ashtu sikurse komunat pjesëmarrëse”.

Asociacioni do të ketë një buxhet vjetor të integruar, i propozuar nga Bordi i tij dhe miratuar nga Kuvendi i tij. Buxheti vjetor duhet të jetë proporcional, i përcaktuar dhe i përshtatshëm për objektivat e Asociacionit dhe funksionimin e trupave të tij. 

Aty thuhet se Qeveria dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës duhet të rishikojnë çdo buxhet vjetor të integruar të Shoqatës/Komunitetit para miratimit të tij.

“Qeveria dhe Auditori i Përgjithshëm do të bëjnë një shqyrtim të projekt-buxhetit për përputhjen me objektivat e Shoqatës/Komunitetit dhe funksionimin e organeve të saj siç përcaktohet nga ky statut”, thuhet në draft-dokumentin.

Presioni për formimin e Asociacionit është shtuar. Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe Emisari Special i SHBA-së, Gabriel Escobar, kanë publikuar të hënën një opinion të përbashkët ku kërkojnë që të formohet Asociacioni. Ata i ka përkrahur edhe shefi i misionit të Gjermanisë në Prishtinë.

Sa më shumë që janë shtuar rritjet, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje kanë shtuar reagimet e tyre kundër formimit të Asocacionit, të cilin sërish kanë nisur ta quajnë në serbisht “Zajednicë”.

Më 31 janar, në Ambasadën amerikane në Prishtinë janë ftuar akterë të ndryshëm për të diskutuar rreth formimit të Asociacionit.

Kryeministri Kurti ka thënë se ai nuk është ftuar nga Ambasada amerikane, por është konfirmuar se ministri serb i Qeverisë së tij, Nenad Rashiq do të jetë aty. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe partitë opozitare të Kuvendit. Qeveria thotë se kundërshton kategorikisht formimin e një Asociacioni njëetnik edhe pse dy diplomatët Chollet e Escobar në opinionin e tyre e përjashtuan një të tillë. 

(Kosova Sot Online)