KGJK kërkon që të dërgohet Ligji i Pagave në Kushtetuese

  • E.k /
  • 02 February 2023 - 12:03
KGJK  kërkon që të dërgohet Ligji i Pagave në Kushtetuese

KGJK ka kërkuar nga Avokati i Popullit që të veproj në kuadër të kompetencave ligjore duke kundërshtuar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik në Gjykatën Kushtetuese, përcjell “Kosova Sot Online”

Qeveria e Kosovës ka vendosur në mbledhjen e djeshme që vlera monetare e koeficientit të jetë 105 euro për vitin 2023 dhe 110 euro për vitin 2024.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik do të hyjë në fuqi nga 5 shkurti.

Komunikata e plotë:

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen e mbajtur më datë 2 shkurt 2023, së bashku me Asamblenë e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, ka diskutuar dhe analizuar Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vlerën e koeficientit, si dhe efektin e këtyre akteve në sistemin gjyqësor.

Këshilli Gjyqësor konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vlerën e koeficienteve, paraqet një ndërhyrje të dëmshme në pavarësinë, integritetin dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor.

Një ndërhyrje e tillë në sistemin gjyqësor, është në kundërshtim të plotë me dispozitat kushtetuese, ligjore si dhe standardet evropiane që u garantojnë gjyqtarëve një sistem të pagave të parashikueshëm dhe nuk lejojnë uljen e pagave. Për më tepër, një qasje e tillë ndaj gjyqësorit është në kundërshtim edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Ligjin për Gjykatat, Qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe Rekomandimet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe gjithë administrata gjyqësore, shprehin shqetësim që as Kuvendi dhe as Qeveria nuk kanë respektuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sigurimin e pacenueshmërisë së pagave të sistemit gjyqësor, prandaj ftojmë Avokatin e Popullit që të veproj në kuadër të kompetencave ligjore duke kundërshtuar këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, është i vendosur që të ndërmerr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore për të mbrojtur dhe promovuar pavarësinë institucionale dhe funksionale të sistemit gjyqësor.

(Kosova Sot Online)