Skandali McGonigal/ Business Insider: Qesja me para vinte nga Neza, ja çfarë ndodhi para udhëtimit në Vjenë

  • E.K /
  • 08 February 2023 - 13:48
Skandali McGonigal/ Business Insider: Qesja me para vinte nga Neza, ja çfarë ndodhi para udhëtimit në Vjenë

Media e njohur amerikane, Business Insider, vazhdon investigimin e saj për skandalin e Charles McGonigal.

Sipas saj, skandali mes tij dhe Edi Ramës, kryeministrit shqiptar, është një rast klasik i shkëmbimit të favoreve.

Kush është Aktivisti?

Edhe këtë herë, Business Insider ka biseduar me ish-të dashurën e Charles McGonigal, Allison Guerriero. Kjo e fundit tregon detaje interesante nga lidhja jashtëmartesore që kishte me agjentin e lartë të FBI.

“Njerëzit qëkanë marrëdhënie jashtëmartesore, zakonisht përfshihen në këto lloj mashtrimi,” thotë për portalin amerikan, Michael German, një ish-agjent special i FBI.

Allison Guerriero e nis duke treguar se si ish-i dashuri i saj, Charles McGonigal, ishte terrorizuar kur FBI kishte urdhëruar stafin që të fshinte aplikacionin WhatsApp nga celularët e punës.

“McGonigal ishte në panik. Ai, një nga drejtuesit më kryesorë të FBI-së në Nju Jork, nuk mund t’i dërgonte më mesazhe të koduara kujtdo që i dërgonte mesazhe. Ky ishte një problem. Guerriero nuk e dinte saktësisht se për çfarë po e përdorte McGonigal, aplikacionin Whatsapp- ai kurrë nuk komunikonte me të përmes tij- por ai qëndronte shumë në të. Kështu që McGonigal doli dhe bleu një iPhone të dytë për ta përdorur veçmas. Ai e përdori atë pothuajse ekskluzivisht për Whatsapp. Dy telefonat i merrte me vete kudo”, shkruan Insider.

Guerriero kujton se McGonigal kalonte kohë duke u shoqëruar me një burrë misterioz, të quajtur Agron. Ajo kujton po ashtu se kishte parë një qese të mbushur me para në apartamentin e tyre në Nju Jork. Por McGonigal i kishte thënë se ishin para të fituara në një bast sportiv.

“Agron Neza kishte emigruar në Nju Xhersi nga Shqipëria, ku, sipas një aktakuze, ai kishte qenë punonjës i një agjencie të inteligjencës shqiptare disa dekada më parë. Një aktakuzë federale kundër McGonigal thotë se Neza i dha atij 225 mijë dollarë në para cash, duke përfshirë një pagesë prej 80 mijë dollarësh që përkonte me datën kur Guerriero thotë se ajo pa çantën plot me para të paketuara në apartamentin e McGonigal. Neza, i cili në aktakuzë është identifikuar vetëm si Personi A, nuk është akuzuar për ndonjë shkelje,” shkruan Insider.

Neza nuk pranoi që të komentonte.

Kurse Guerriero kujton një detaj përpara se McGonigal të fluturonte për në Vjenë së bashku me Nezën. Ai e ftoi atë që të shkonin së bashku, pasi ishte një pushim i paguar me të gjitha shpenzimet.

“McGonigal i kishte kërkuar Guerrieros që t’i bashkohej për udhëtimin. Një pushim i paguar me të gjitha shpenzimet, tha ai, do ta ndihmonte të largonte mendjen nga çështjet e ngutshme shëndetësore. Ajo ishte diagnostikuar me kancer dhe pritej të bënte një mastektomi të dyfishtë brenda pak javësh. McGonigal nuk i tha se do vinte edhe Agroni dhe se dikush tjetër do paguante fluturimet dhe hotelet e tyre. Guerriero do e mësonte këtë më vonë nga aktakuza”.

Përpara se të nisej për në Vjenë, ai u ndal të blinte një pallto në Nju Jork, pasi në Vjenë do ishte ftohtë. Guerriero u habit kur ai nxori një shishe të vogël dhe nisi të pinte vodka. McGonigal zakonisht pinte martini ose verë.

“Guerriero nuk e dinte në atë kohë, por McGonigal kishte arsye të mira për të qenë nervoz. Udhëtimi në Vjenë do të ishte një përzierje mes punëve zyrtare dhe personale. Aktakuza tregon se ana personale nuk është bërë e ditur në dokumentet që McGonigal duhet të plotësojë për FBI-në. McGonigal nuk e informoi agjencinë se dikush tjetër po paguante rrugën e tij dhe se ai do të kishte takime jashtë regjistrave zyrtarë për biznes privat, edhe pse ai vazhdonte të mbante punën në byro”.

“Guerriero ende nuk e kupton pse McGonigal e ftoi atë në Vjenë. Ndoshta ai donte që dikush, të cilit i besonte, të vinte për udhëtim. Por ajo tha jo. “Nuk mund të shkoj në Vjenë. Kam shumë gjëra për të bërë. Nuk kam as pasaportë të vlefshme. E imja ka skaduar,” i tha Guerriero. Tani ai ishte vetëm,” shkruan Business Insider.

(Kosova Sot Online)