Do i pastronin para “Cosa Notra”-s në Shqipëri, SPAK kërkon 13 vite burg për kunatin e Rezart Taçit

  • S.A /
  • 10 February 2023 - 14:59
Do i pastronin para “Cosa Notra”-s në Shqipëri, SPAK kërkon 13 vite burg për kunatin e Rezart Taçit

Në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar seanca gjyqësore e radhës për çështjen e pastrimit të parave nga ana e Rezart Taçit, kunatit dhe shoferit të tij që akuzohen që do të pastronin në Shqipëri miliona euro të mafias italiane.

Skema në fjalë u zbulua nga SPAK pas hetimeve disamujore. Paratë ishin depozituar në një llogari bankare të hapur pranë një filiali të “Alpha Bank” në Tiranë, nga ku duhej më pas të transferoheshin në Hong-Kong dhe Singapor nëpërmjet një kompanie të Rezart Taçit, shkruan zoom.al, transmeton "Kosova Sot Online".

Llogaria ishte në emër të Francesco Zummo-s me shumën 18.399.996 euro. Ndërsa Taçi, sipas SPAK, do të fitonte 3 milionë euro nga ky transaksion, ose thënë ndryshe 16% të shumës

Shuma vinte nga një bankë në Kantonin zviceran të Ticino-s dhe ishin pjesë e pasurisë 150 milion euro te Francesco Zummo-s, konfiskuar nga gjykata italiane si te ardhura të Cosa Nostra-s.

SPAK ka dërguar shpalljen fajtor të kunatit të Taçit, Artur Balla dhe dënimin me 13 vite burg, ndërkohë që për shoferin Bledar Lilo ka kërkuar 12 vite burg. Vetë Rezart Taçi është në arrati.

“ Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Balla për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 13 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të proçedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Artur Balla me 8 vjet e 8 muaj burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Lilo për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 12 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të proçedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Bledar Lilo me 8 vjet burgim.

Gjithashtu është kërkuar konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i shumës monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet një, pikë pesëdhjetë) Euro, ndodhur në llogarinë bankare në emër të Francesco Zummo, në Bankën Alpha, Tiranë, të sekuestruara gjatë fazës së hetimit paraprak nga Prokuroria e Posaçme.

Çështja penale në ngarkim të të pandehurit Rezart Taçi është ndarë gjatë fazës së seancës paraprake dhe do të gjykohet si çështje penale më vete, për shkak se ky i pandehur është në mungesë dhe duhet të kryhen proçedurat e nevojshme të parashikuara në Kodin e Proçedurës Penale për të pandehurit që gjykohen në mungesë”, thuhet në njoftimin e SPAK.

(Kosova Sot Online )