Selmanaj: Përmasat e largimit të qytetarëve nga Kosova i ngjajnë një ekzodi masiv

  • A.P /
  • 16 February 2023 - 14:20
Selmanaj: Përmasat e largimit të qytetarëve nga Kosova i ngjajnë një ekzodi masiv

Shqetësimet për ikjen e qytetarëve të Kosovës jashtë vendit, i ka shprehur në seancën e sotme të Kuvendit, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Selmanaj thotë se përmasat e largimit të tyre i ngjajnë një ekzodi masiv.

“Përmasat e largimit të qytetarëve të Kosovës i ngjan një ekzodi masiv. Të dhënat nga ambasadat dhe institucionet janë shqetësuese dhe kjo tregon se ata nuk po e projektojnë jetën, idealet dhe andrrat në Kosovë. Fshatrat, shtëpitë dhe shkollat janë boshatisur”, thotë Selmanaj.

Ai tregon se nga të dhënat e ambasadave, vetëm në vitin 2022 kanë aplikuar për viza rreth 150 mijë qytetarë.

“Në vitin 2022 në ambasadën gjermane kanë aplikuar 105 mijë qytetarë për viza, në ambasadën zvicrane rreth 40 mijë, kurse në vitin 2021. Brenda dy vjetëve 10 mijë qytetarë kanë hequr dorë nga nënshtetësia e Kosovës, sipas Ministrisë së Brendshme”, tregon ai.

Po ashtu, deputeti i LDK-së thotë se edhe mjekët po ikin nga Kosova, ku sipas Odës së Mjekëve, 200 mjekë kanë lënë punën.

“Oda e Mjekëve të Kosovës ka lëshuar në vitin 2022, 666 çertifikata të etikës, të cilat lëshohen në rastet kur mjekët punësohen jashtë Kosovës. Ndërsa, vetëm në periudhën 2018-2022, 800 mjekë e kanë lëshuar Kosovën”, thotë Selmanaj.

Ai duke treguar këtë shqetësim, përmendi edhe një momënt kur ministri Murati thoshte në Komision për Buxhet se “mjekët janë të lirë të ikin”.

Deputeti Selmanaj tha se brenda 10 vjetësh janë larguar 529,647 qytetarë ose 20 përqind të popullsisë.

“Brenda 10 vjetëve kanë ikur 529,647 qytetarë ose 30% e popullsisë. Ky trend nuk është i tanishëm. Por, ju kur thonit se kjo është qeveri e shpresës, ndërkohë që të dhënat e këtij trendi janë në rritje.

“Nëse vazhdon ky trend, në 10 vjetët e ardhshme, do të jemi si Mali i Zi, prandaj duhet të ngrehim gjendjen e alarmit shtetëror, se ne jemi këtu për t’i realizuar projektet dhe andrrat e njerëzve që jetojnë këtu në tokën e paraardhësve të tyre”, shprehet ai.

(Kosova Sot Online)