Skandali me gjobat e McGonigal/ Berisha: Listën e biznesmenëve e dha Basha, Kongresi dhe FBI të hetojnë

  • E.K /
  • 18 February 2023 - 14:17
Skandali me gjobat e McGonigal/ Berisha: Listën e biznesmenëve e dha Basha, Kongresi dhe FBI të hetojnë

Kryetari demokrat, Sali Berisha, denoncoi sot publikisht skemën e gjobëvënies nga ish-agjenti i lartë i FBI-së, Charles McGonigal.

Mediat amerikane kanë raportuar se ai ka zhvatur mbi 30 milionë euro duke gjobitur biznesmenët e njohur shqiptarë, me kërcënimin se do të bëheshin pjesë e sanksioneve amerikane.

Berisha tha sot se pjesë e kësaj skeme ishin edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim.

Por Berisha tha se listat e biznesmenëve dorëzoheshin nga Lulzim Basha.

“Çfarë ishte kjo skemë?

Pra, kjo ishte një skemë në të cilën Edi Rama po fuste në dorë, në skllavërim të plotë, biznesmenët me lista, kësaj radhe të dorëzuara nga Lulzim Basha. Po!

Po të mos ishte skema McGonigal, nuk kisha të drejtë të bëja asnjë lidhje para jush këtu. Por duhet të jesh naiv të mos bësh këtë lidhje. Prandaj i bëj thirrje Kongresit të SHBA, FBI, Departamentit të Shtetit të hetojë.

A ju kujtohet kur në televizionet shqiptare flisnin për 150 të sanksionuar? Çfarë ishte kjo? Bëhuni klientë të McGonigal, përndryshe jeni të sanksionuar”, tha Berisha.

Edhe sot, Berisha bëri thirrje për vazhdimin e revolucionit paqësor.

“Edhe njëherë ju bëj thirrje ju, i bëj thirrje çdo shqiptari, të bashkohet me këtë revolucion. Të shpëtojmë Shqipërinë. Nuk është një lëvizje e PD. Por është një lëvizje së pari për fëmijët tanë, për veten tonë, për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo monokraci, nga ky regjim kriminal.

Është lëvizje për tu ngritur vigan kundër mafies shqiptare dhe ndërkombëtare. Njerëzit që guxojnë, ata fitojnë. Njerëzit që ndjehen të ndershëm nuk dorëzohen kurrë. Ndaj ju ftoj sërish, kudo që jeni, të bëjmë gjithçka për të çuar përpara këtë kauzë shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët,” tha Berisha.

(Kosova Sot Online)