Nafta ruse e kontrabanduar përmes Shqipërisë/ PD: Rama me oligarkët e tij, thikë pas shpine vendeve të lira

  • S.A /
  • 21 February 2023 - 14:03
Nafta ruse e kontrabanduar përmes Shqipërisë/ PD: Rama me oligarkët e tij, thikë pas shpine vendeve të lira

Partia Demokratike reagoi zyrtarisht pas kapjes në Durrës të 22 mijë e 500 ton naftë kontrabandë nga Rusia dhe Libia. “Rama me oligarkët e tij, pakte pas shpine me të gjithë armiqtë e vendeve të lira,” tha zëdhënësja e PD, Floriana Garo.DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ZËDHËNËSJA FLORIANA GARO

Kryeministri i këtij vendi që braktiset përditë, përveçse inkurajon Vuçiçin që t’u thotë JO sanksioneve ndaj Rusisë, jep një dorë edhe vetë, duke lejuar kontrabandën e naftës ruse në portet shqiptare dhe duke thyer embargon e Perëndimit.

Ndërkohë që bota e lirë është në luftë, kryeqeveritari dhe njerëzit e tij mundohen si e si të përfitojnë në shpinë të krizës globale.

Ndalimi i një anijeje në portin e Durrësit me 22 mijë e 500 ton naftë kontrabandë ka ndodhur para dy ditësh.

Kapja e kësaj anijeje nuk mund të duartrokitet si punë e mirë e organeve ligjzbatuese, sepse siç dëshmojnë raportet mediatike dhe konfidenciale, për çdo anije të kapur disa dhjetëra lejohen të vazhdojnë shkarkimin.

Anija e kapur me mijëra tonelata naftë vinte nga Rusia, një vend në sanksionet e ShBA dhe Bashkimit Europian.

Anijet me naftë ruse, apo nga zonat nën embargo si Libia e Siria, nuk janë tashmë një lajm i ri për kronikën policeske dhe mediatike.

Me sa duket, Rama me oligarkët e tij e kanë në gojë Perëndimin sa për sy faqe, por pas shpine, sa herë u jepet rasti dhe për përfitime personale, bëjnë pakte me të gjithë armiqtë e vendeve të lira.

Sa për kujtesë, pak kohë më parë Progres -Raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë dha një kambanë të fortë alarmi me një listë të gjatë shkeljesh, ndër to edhe për trafikun dhe kontrabandën.

Të hapësh Durrësin dhe Adriatikun për anijet ruse, një ëndërr e vjetër e Moskës, është një tradhti e dyfishtë kombëtare. Ta bësh këtë në kohë lufte, kur populli ukrainas përpiqet për lirinë dhe mbijetesën është tradhti globale.

Miqve ndërkombëtarë u themi: Edi Rama nuk mund të konsumojë më nga kreditet e mira të popullit shqiptar me qeveritë e vendeve tuaja.

Ka ardhur koha që edhe ju t’i thoni “Mjaft më!” këtij përfituesi lufte.

Indiferenca, si brenda dhe jashtë, dëmton imazhin, i bën atentat të ardhmes së vendit, dhe e bën Shqipërinë një aleat nominal, pa vlera të vërteta. © SYRI.net

(Kosova Sot Online )