Ndahen 8 milionë euro për gjashtë komuna të Kosovës

  • A.P /
  • 02 March 2023 - 16:44
Ndahen 8 milionë euro për gjashtë komuna të Kosovës

Sot Grantin e Performancës Komunale, e ka prezantuar ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

I pari i kësaj Ministrie, Elbert Krasniqi ka thënë përpara mediave se Ministria ka mësuar nga gabimet paraprake dhe është munduar të krijojë një Grant sa më dobiprurës për komunat fituese.

Krasniqi shtoi se ndonëse sivjet ka numër më të vogël të komunave përfituese, vlera e grantit do të jetë më e madhe, më saktësisht do të jetë rreth 8 milionë euro.

Ai ka falendëruar ambasdorët dhe përfaqësuesit e shteteve partnere ndërkombëtare për bashkëpunimin e vazhdueshëm me MAPL-në.

Ndërkaq, ambasadori i Zvicrrës në Kosovë, Thomas Kolly, tha se rritja e theksueshme e granteve për komunat përfituese është shumë i rëndësishëm.

Sipas tij, kjo do të ndihmojë qytetarët dhe dhënien e shërbimeve.

Megjithatë, Kolly thotë se vërehet edhe nevoja për përmirësime.

“Shpresoj qe të gjitha komunat te vazhdojne të përmirësojnë performancat e tyre, dhe me këtë dua të them që të përmirësohen në shërbime dhe në përfitimin e granteve” tha mes të tjerash ambasadori zvicrran.

Në anën tjetër, ambasadori suedez Jonas Westerlund tha që komunat kanë për detyrë t’u ofrojnë shërbime qytetarëve të tyre.

Ai falendëroi ministrin Krasniqi dhe të gjithë bashkëpunetorët, duke thënë se janë krenarë për këto arritje.

Marrëveshja për bashkëfinancim u nënshkrua nga Ministri Krasniqi dhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Pas Lladrovcit, këtë marrëveshje e nënshkruan edhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, si dhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.

(Kosova Sot Online)