Shtetet kanë arritur marrëveshje historike për të mbrojtur oqeanet

  • A.P /
  • 05 March 2023 - 10:34
Shtetet kanë arritur marrëveshje historike për të mbrojtur oqeanet

Shtetet kanë arritur marrëveshje historike për të mbrojtur oqeanet e botës pas dhjetë vjetësh negociata.

Traktati për detin e hapur vendos që deri në vitin 2030, 30 për qind e deteve të jenë në zona të mbrojtura, me synimin për të mbrojtur dhe për të rikuperuar natyrën detare.

Marrëveshja u arrit në mbrëmjen e së shtunës, pas 38 orësh bisedime në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Negociatat për këtë traktat janë bllokuar për vite të tëra për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me financimin dhe të drejtat e peshkimit.

Marrëveshja e fundit ndërkombëtare për mbrojtjen e oqeaneve ishte nënshkruar më 1982. Ajo marrëveshje krijoi zonat e quajtura dete të hapura – ujëra ndërkombëtare ku të gjitha shtetet kanë të drejtë të peshkojnë, të transportojnë dhe të bëjnë kërkime – por, vetëm 1.2 për qind e këtyre ujërave janë të mbrojtura.

Jeta detare jashtë këtyre zonave të mbrojtura ka qenë në rrezik nga ndryshimet klimatike, peshkimi i pakontrolluar dhe trafiku i anijeve.

Sipas vlerësimeve të fundit lidhur me speciet detare është gjetur se 10 për qind e tyre janë në rrezik të zhduken.

Në zonat e reja të mbrojtura, sipas traktatit të ri, do të ketë kufizime sa i përket peshkimit, rrugëve të kalimit të anijeve dhe aktiviteteve eksploruese, sikurse nxjerrja e mineraleve nga shtrati i detit që gjendet 200 metra apo më poshtë sesa nga sipërfaqja e ujit.

Grupet mjedisore kanë shprehur shqetësim se nxjerrja e mineraleve mund të ndikojë në riprodhimin e gjitarëve detarë, të shkaktojë ndotje dhe të jetë e rrezikshme për jetën detare.

(Kosova Sot Online)