Pas deklaratës së Dodikut, Prokuroria nis hetimet

  • A.P /
  • 06 March 2023 - 18:06
Pas deklaratës së Dodikut, Prokuroria nis hetimet

Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës ka iniciuar një rast kundër presidentit të Republikës Srpska, Millorad Dodik, për mohim të gjenocidit, ka konfirmuar ky institucion, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas ligjit, pas inicimit të rastit, Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës kryen hetim, pas së cilit prokurori i rastit vendos nëse do të ngrehë aktakuzë.

Pas kësaj procedure, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës konfirmon ose hedh poshtë aktakuzën.

“Gjenocidi nuk ka ndodhur atje, të gjithë ne në Republikën Srpska e dimë këtë”, tha Dodik gjatë një konference për media në Banja Llukë më 21 shkurt.

Gjatë gjenocidit në Srebrenicë në korrik 1995, forcat e Ushtrisë së Republika Srpskas (VRS) vranë rreth 8.000 burra dhe djem në Srebrenicë dhe rrethinat e saj.

Më shumë se 25.000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan nga zona, që atëbotë ishin nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara.

Masakra është cilësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid.

Sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnjë e Hercegovinës, mbi 1.200 viktima të masakrës së Srebrenicës mbeten ende të zhdukura.

Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në gjenocid.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

(Kosova Sot Online)