
Pse Afrika nuk ia sheh 'hajrin' diamanteve

Afrika ka pasuri minerare me lëndë të para të ndryshme që kërkohen në të gjithë botën. Popullsia vendase nuk ka ndonjë përfitim të madh nga industria e gurëve të çmuar, përveç masave që merren për certifikimin e tyre.
Në pjesët e Afrikës të pasura me gurë të çmuar, të ardhurat e nxjerra nga mineralet nuk ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së jetesës së popullsisë vendase. Përjashtim bën vetëm Botsvana. Në vend që të rrisin nivelin e jetës së komuniteteve, shumë njerëz e kapin veten të futur në rrethin vicioz të shfrytëzimit dhe abuzimeve, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në Republikën Demokratike të Kongos, thotë presidenti i Këshillit afrikan të diamantit, M’Zee Fula Ngenge, ekziston një konflikt historik shkaktuar nga “lakmia e madhe, ndarja post-koloniale, si dhe erozioni i zakonshëm i përgjegjshmërisë në sektorin publik dhe manaxhimin qeveritar.”
Ngenge mendon, se vetëm pak njerëz të zgjedhur përfitojnë direkt nga puna e rëndë e minatorëve, duke i paguar punëtorët për minimumin e jetesës, në mënyrë që të vazhdojnë t’i kenë në dorë. Konfliktet rajonale jo vetëm që rrisin këtë përzierjeje kontrolli dhe shfrytëzimi të padrejtë, por bëjnë që aktualisht të mëdhenjtë e tregtisë me gurët e çmuar të përfitojnë, sepse konfliktet u lejojnë atyre që të vendosin për normat e punës bazuar tek nevojat e minatorëve për të siguruar të ardhurat.
Minierat ilegale të gurëve të çmuara mbizotërohen nga të huajt
E përbashkëta e Kongos, Angolës, Mozambikut dhe shumë vendeve të tjera të Afrikës, të pasura me minerale është fakti se ekzistojnë dy tregje për shfrytëzimin e burimeve minerare: ekziston industria zyrtare e shfrytëzimit të mineraleve, e cila është subjekt që mbikqyret të paktën deri në një nivel të caktuar, dhe ekziston tregu klandestin, që dominohet nga minatorët dhe sponsorizuesit e tyre.
Për të kuptuar se si funksionon tregu klandestin për prodhimin dhe tregtimin e gurëve të çmuar, Deutsche Welle shkoi në qytetin me miniera të gurëve të çmuar, Canfunfo, në provincën Lunda Norte të Angolës, që ndodhet në kufi me Kongon.
Caiongo Adelino ka punuar si minator illegal, ose garimpeiro siç e quajnë vendasit— për dhjetë vjetë me radhë. 49 vjeçari thotë se në përgjithësi grupet e garimpeirove kanë financuesit e tyre, të cilët paguajnë që ata të futen thellë në xhungël për të nxjerrë ilegalisht gurët e çmuar, gurë që më vonë edhe blihen prej tyre. “Herën e fundit që shita një gurë të çmuar, çmimi ishte 1250 dollarë,” tregon Adelino për DW. “Por këto çmime nuk janë çmimet reale, sepse tabela për të paguar ne garimpeirot është e ndryshme nga tabela e tregut ku shiten diamantet.”
Tregu klandestin për blerjen dhe shitjen e gurëve të çmuar, veçanërisht diamantëve të nxjerrë nga garimpeirot, është në duar të të huajve, të ndërmjetësve senegalezë, kinezë, francezë, eritreas, guineas dhe kongolezë, të cilët nuk investojnë në rritjen e nivelit të jetës së komunitetit vendas.
Kjo gjë madje reflektohet në modelin e tyre të biznesit. Një sponsorizues i jep garimpeirove sendet kryesore për të jetuar në xhungël, dhe vlera e këtyre sendeve i zbritet pagesës që u bëhet garimperoive, kur kthehen për të shitur diamantët.
(Kosova Sot Online)