Bislimi e pret në takim ambasadorin e ri të Turqisë, u fol për objektivat strategjike të Kosovës

  • E.K /
  • 13 March 2023 - 15:15
Bislimi e pret në takim ambasadorin e ri të Turqisë, u fol për objektivat strategjike të Kosovës

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, është takuar me ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, përcjell “Kosova Sot Online”.

Ambasadori ka shprehur falënderimit e tij për mikpritjen e tij që i ka bërë Kosova, si dhe për solidaritetin e shprehur rreth tërmetit që e goditi Turqinë.

“Ambasadori u shpreh falënderues për mikpritjen në Kosovë si dhe theksoi mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe solidaritetin e ardhur nga Republika e Kosovës ndaj popullit turk në rastin e tërmetit të fuqishëm që goditi Turqinë”, njoftoi ZKM-ja.

Në këtë takim, ZKM thotë se “u bisedua për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve bilaterale, veçanërisht në ekonomi, ku ekziston potencial madhor në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona”,

“Zëvendëskryeministri Bislimi foli dhe për objektivat strategjike të Kosovës, siç janë anëtarësimi në Këshillin e Evropës, rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian, përfundimi i procesit të liberalizimit të vizave dhe aplikimi në Partneritetin për Paqe në NATO. Palët potencuan dhe rëndësinë e nevojën për stabilitet, paqe dhe siguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe biseduan edhe mbi procesin e dialogut”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)