Zyra e Kurtit: Udhëtojmë në Ohër me vullnet, qëllime të mira dhe besim të mirë

  • E.K /
  • 17 March 2023 - 14:47
Zyra e Kurtit: Udhëtojmë në Ohër me vullnet, qëllime të mira dhe besim të mirë

Emisari amerikan, Gabriel Escobar, sot është takuar me kryeministrin Albin Kurti, me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentarin Glauk Konjufca, përcjell “Kosova Sot Online”.

Zyra e Kryeministrit Kurti ka lëshuar një komunikatë rreth takimit të sotëm.

“U diskutua për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim”.

ZKM-ja thotë se Kurti falënderoi Emisarin për “angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog”.

“Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)