Kurti për raportin e DASh-it: Vërejtjet, kritikat të cilat na jepen do t’i marrim me shumë seriozitet

  • E.K /
  • 21 March 2023 - 14:41
Kurti për raportin e DASh-it: Vërejtjet, kritikat të cilat na jepen do t’i marrim me shumë seriozitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit do t’i adresojnë me shumë seriozitet dhe se do t’i trajtojnë me përpikëri, përcjell “Kosova Sot Online”.

Kurti ka thënë se Kosova ka shënuar përparime në luftën kundër korrupsionit.

“Ne bëjmë maksimumin e mundshëm, nuk e kursejmë as vullnetin, as përpjekjen e as dijen që e kemi. Gjatë këtyre dy viteve Kosova ka shënuar përparime të mëdha, a jemi aty ku duam, ende jo. Mirëpo të gjitha ministritë, teksa shënojmë këtë javë dy vjetorin në qeverisje, e bëjnë më të mirën e mundshme. Edhe vërejtjet, kritikat të cilat na jepen do t’i marrim me shumë seriozitet e do t’i trajtojmë me përpikëri”, tha ai.

Ai ka folur edhe për marrëveshjen e mundshme me Serbinë. Sipas tij, presidenti Vuçiq e ka refuzuar marrëveshjen në Bruksel e Ohër.

“Me datën 18 gusht të vitit të kaluar e kemi pasur marrëveshjen, por ka refuzuar ta nënshkruaj presidenti i Serbisë, siç refuzoi edhe më 27 shkurt në Bruksel, siç refuzoi edhe më 18 mars në Ohër. Teksti është i dakorduar qysh me 18 gusht të vitit të kaluar dhe unë besoj që ai dakordim porsa të behët marrëveshje ndihmon shumë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, e sigurisht që është i nevojshëm edhe drejtësia për viktimat. Në këtë rast viktimat nuk janë vetëm të zhdukurit me dhunë por viktima janë edhe familjet e tyre dhe shoqëria në përgjithësi”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)