Kryeministri Kurti sot takon Ramën në Tiranë

  • A.P /
  • 26 March 2023 - 09:01
Kryeministri Kurti sot takon Ramën në Tiranë

Sot Tiranën, do të vizitojë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kurti do të zhvillojë takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Me këtë të fundit, Kurti pritet të takohet në Kuvendin e Shqipërisë, duke filluar nga ora 11:30.

Një takim kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama është planifikuar jashtë ndërtesës së kryeministrisë. Marrëveshja e Ohrit Kosovë- Serbi, e cila mori formë por pa nënshkrime, pas 10 orësh bisedime, do të jetë në qendër të takimit Rama – Kurti.

Në Ohër, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të pranuar parimisht  gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave.

SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman. Një takim zyrtar I Kurtit pritet të zhvillohet në orët e para të ditës edhe në kryesinë e Kuvendit me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

(Kosova Sot Online)