A do ta përmirësojnë performancën 47 milionët e Bankës Botërore?

  • A.P /
  • 29 March 2023 - 16:26
A do ta përmirësojnë performancën 47 milionët e Bankës Botërore?

Me qëllim reformimin e skemës sociale, Kosova e përfaqësuar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, më 16 tetor 2021 kishte nënshkruar marrëveshje 47-milionshe me Bankën Botërore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Por kjo marrëveshje ndërkombëtare u ratifikua në Kuvendin e Kosovës vetëm më 23 mars dhe në mes të kësaj kohe ka pasur debate të ashpra në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Dy protagonistët kryesorë të kësaj “beteje” ishin ministri Hekuran Murati dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

Një marrëveshje e tillë për t’u ratifikuar në Kuvend duhej t’i kishte 80 vota – pushteti si i vetëm s’i kishte, i duheshin edhe votat e opozitës.

E në opozitë e ashpër kundër kësaj marrëveshje ishte LDK-ja që kritikën drejt Muratit e drejtonte përmes Avdullah Hotit.

“Kurrë nuk ka ndodhur në Kosovën e pavarur që të merret kredi për skema sociale”, ishte kritika qendrore e Hotit më 6 prill 2022 në Komisionin për Buxhet, teksa kritikonte Muratin duke i thënë se “çfarë ministri je ti”!

E për këtë marrëveshje më parë kishte dhënë sqarime shefi i kuletës së shtetit, Hekuran Murati.

“Ky projekt do të sigurojë mbështetje për të gjitha familjet në nevojë, por të njëjtën kohë edhe do të ndërtojë mekanizmin që i ndihmon ato familje të dalin nga varfëria, duke siguruar ndërlidhjen me tregun e punës”, kishte thënë ministri Murati pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Më shumë se 40 milionë euro në marrëveshjeje parashihet të shkojnë në përmirësimin e performancës së Skemës së Ndihmës Sociale, ndërkaq 5 milionë euro për përforcimin e sistemeve të ofrimit të mbrojtjes sociale.

Dy partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kishin kritika herë pas here për këtë projekt, por në krye të kundërshtimit ishte LDK-ja që njëjtë nuk votoi pro kësaj marrëveshjeje as më 23 mars të këtij muaj.

Argumenti i LDK-së ishte se “nuk merren kreditë milionëshe për ndihma sociale për shkak të mungesës së kthimit të asaj vlere”.

Në linjë të kësaj kanë vazhduar debatet e Muratit dhe Hotit, një i tillë ka qenë më 5 tetor 2022.

Kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje, ish-ministri i Financave e bazonte edhe në aspektin e kontekstit kohor, si dhe në atë që shteti ka buxhet të mjaftueshëm për shkak të mungesës së investimeve kapitale – dhe njëkohësisht “merr kredi për ndihma sociale”.

“Kredia për mbështetje buxhetore është marr kur kemi qenë në kulmin e pandemisë, po unë e shoh të panevojshme tash në tetor 2022, kur bilanci bankar i qeverisë është 700-800 milionë euro. Kemi bilanc bankar që shkon deri në 800 milionë euro ndërkohë që po marrim kredi për mbështetje buxhetore. Ka qenë e nevojshme në vitin 2020, por jo tani”, kishte thënë Hoti.

“Për të tretën herë po e sjell në Kuvend një marrëveshje që po të refuzohet, kjo nuk ka logjikë të shkohet përpara për një kredi 47 milionë euro kur ka bilanc bankar 800 milionë euro”, e kishte vazhduar argumentimin Hoti.

E si kundërpërgjigje ndaj Hotit, Murati e kishte atë se borxhi publik nuk po rritet.

“Borxhi shtetëror nuk po rritet, madje sivjet borxhi është më i vogël se sa në fillim të vitit, ne përderisa mund të marrim kredi të reja, nuk po rritet borxhi publik”, ishte justifikuar Murati.

Debatet mes Murati dhe Hotit kishin vazhduar edhe rreth temave të tjera, por ishte përsëritur edhe për këtë temë.

Tashmë shteti i ka në dispozicion 47 milionë euro për ta reformuar atë që e proklamon ‘përforcimet e skemave sociale‘.

Numri i familjeve në Kosovë që marrin shtesa sociale kalon 25 mijë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), që nënkupton mbi 100 mijë qytetarë jetojnë në familje me ndihma prej 50-150 euro. 

Murati nuk e përkufizonte kredinë në vetëm dhënien e ndihmave sociale, por aludonte në reformim.

Ndërkaq LDK-ja vazhdon të mos jetë e bindur që një politikë nuk është e duhur dhe ndodh për herë të parë në Kosovë që nga viti 2008. 


(Kosova Sot Online)