Kurti: Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen

  • A.P /
  • 02 April 2023 - 17:00
Kurti: Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen

Masakrimin e mbi 60 civilëve shqiptarë para 24 vjetësh në Gjakovë, e ka përkujtuar kryeministri Albin Kurti, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Kufomat në shtëpinë e Vejsave ishin krejt të karbonizuara. Unë shkova të merrja batanije në spital, por ata nuk kishin më shumë se një copë. Nëntëmbëdhjetë trupa të karbonizuar u mbështollën me një batanije. U varrosën në tre varre”, citohet një dëshmitar nga Human Rights Watch, ka shkruar Kurti.

“Në natën mes 1 dhe 2 prillit 1999, në Lagjen e parë në Gjakovë, forcat serbe masakruan e vranë mbi 60 civilë shqiptarë. Në shtëpitë e tyre, i dogjën të gjallë e të vdekur anëtarët e familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi. Mosha e të vrarëve ishte nga 2 deri në 75 vjeç”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara”, shkroi Kurti, “derisa dikush nuk merr përgjegjësi e denim për to”.

Krimet e Serbisë në Kosovë, Kurti tha se “nuk mund të zhduken e as të harrohen”.

“Ne i përkujtojmë në secilin përvjetor për të mos i harruar kurrë. Sot përkujtojmë të vrarët në Gjakovë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!”, shkroi ai.

(Kosova Sot Online)