Vuk Jeremiq tregon si do të shkon Kosova drejtë anëtarësimit në OKB, Vuçiq në Ohër nuk tha që nuk e ka pranuar planin

  • S.A /
  • 27 April 2023 - 12:13
Vuk Jeremiq tregon si do të shkon Kosova drejtë anëtarësimit në OKB, Vuçiq në Ohër nuk tha që nuk e ka pranuar planin

Kryetari i Partisë Popullore serbe, Vuk Jeremiq, ka vlerësuar se procedura për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara (OKB) do të fillojë nëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk shkon në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe nuk thotë se Serbia është kundër, transmeton "Kosova Sot Online".

Jeremiq ka deklaruar për portalin serb Nova.rs se procedura do të fillojë nëse Vuçiq “nuk i fton anëtarët e Këshillit të Sigurimit, përfshirë Rusinë dhe Kinën, të votojnë kundër”.

Ai beson se është e nevojshme që Vuçiq ta thotë këtë personalisht në Nju Jork në seancën e KS-së të enjten pasdite.

“Ai nuk ka pse t’i thotë askujt “turp të kesh” dhe “hup atje”, por thjesht të përdor një gjuhë të civilizuar për të thënë se Serbia është kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB”, ka thënë Jeremiq.

Sipas tij, Kosova “nuk është shtet dhe nuk do të bëhet” nëse nuk zbatohet plani “franko-gjerman”, sepse Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së.

Ai ka akuzuar Vuçiqin se ka gënjyer se nuk e ka pranuar marrëveshjen “franko-gjermane”, por “vetëm konceptin”, dhe ka shtuar se sipas këtij plani, Kosova është shtet i pavarur fqinj me Serbinë.

“Marrëveshja u publikua në faqen e internetit të Komisionit Evropian, zëvendës presidenti i të cilit Josep Borrell ka thënë më 27 shkurt se plani është dakorduar, dhe Vuçiq atë mbrëmje nuk tha se nuk e pranoi atë plan, por shikonte në tokë dhe thoshte se e ka vështirë”, ka thënë Jeremiq.

Sipas fjalëve të tij, Vuçiq ka pranuar edhe marrëveshjen edhe zbatimin e saj, dhe kjo është e padiskutueshme.

Ai ka deklaruar se tashmë ka filluar zbatimi i planit “franko-gjerman” dhe se dy pikat e para të zbatimit të planit tashmë janë zbatuar.

“E para është se Serbia ka pranuar deklaratën për personat e zhdukur në mënyrë të dhunshme  gjatë luftës së vitit 1999, e cila u hap rrugë familjeve të shqiptarëve të Kosovës të kërkojnë dëmshpërblime astronomike nga gjykatat serbe dhe nëse nuk u jepet, atëherë ata mund të kërkojë kompensim para gjykatës në Strasburg”, është i vetëdijshëm Jeremiqi, dhe ka shtuar se kjo mund t’i kushtojë Serbisë miliarda euro.

Pika e dytë është pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe procedura e pranimit për këtë është nisur në bazë të marrëveshjes “franko-gjermane”, ka vazhduar ai.

“Është e shkruar qartë në dokumentin e miratuar në Strasburg. Nëse nuk e ndalojmë zbatimin e planit, Kosova do të anëtarësohet në UNESCO, Interpol, OKB dhe në fund në NATO”, ka thënë Jeremiq.

Ai ka përsëritur se në këtë marrëveshje shkruhet se Serbia dhe Kosova janë të barabarta në hapësirën ndërkombëtare. Meqë Serbia është shtet i padiskutueshëm, atëherë edhe Kosova është shtet sipas këtij dokumenti, ka përfunduar Jeremiq, duke shtuar se “kjo duhet të ndalet me referendum”.

(Kosova Sot Online )