Krejt çka tha Kurti mbrëmë pas takimit me Vuçiqin, "Unë kam ardhur me vullnet të mirë, me qëllime të mira"

  • E.K /
  • 03 May 2023 - 08:40
Krejt çka tha Kurti mbrëmë pas takimit me Vuçiqin,

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dje e miratuan deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën pati vërejtje për shkak të termit “personat e zhdukur me dhunë”, i cili u përdor në vend të termit “personat e zhdukur me forcë”.

Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti nga Brukseli mbrëmë, pas takimit me Vuçiqin:

Të nderuar gazetarë,

Ju faleminderit shumë që na keni pritur deri në këto orë të vona, për deklaratat publike sa i përket takimit të sotëm të nivelit të lartë që u zhvillua këtu në Bruksel, me ndërmjetësimin apo fasilitimin e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Josep Borrel dhe Emisarit të tij Special për Ballkanin, z.Miroslav Lajçak.

Këtë takim të nivelit të lartë e filluam me një notë të lartë e pozitive që u dakorduam bashkërisht për tekstin e Marrëveshjes, të shndërruar pra në Marrëveshje për çështjen e të pagjeturve, për çështjen e të zhdukurve me forcë, të zhdukurve me dhunë nga lufta në Kosovë. Ne e dimë që janë edhe 1617 të pagjetur dhe këtu viktima nuk janë vetëm ata të cilët janë rrëmbyer por njëkohësisht edhe familjet e tyre, dhe i gjithë populli e shoqëria.

Tek të pagjeturit e kemi situatën ku zemërimi dhe ankthi janë më të mëdhenj sesa pikëllimi e vajtimi. Andaj është një çështje urgjente siç u pat vendosur edhe në Aneksin për Zbatim të Ohrit, që ju bashkëngjit si një pjesë integrale Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit, të bërë pikërisht këtu në Bruksel në formatin e njëjtë.

Në këtë takim të sotëm, pas marrëveshjes për të pagjeturit ne e dëgjuam me durim dhe vëmendje Ekipin Menaxhues i cili prezantoi një draft statut, në gjithsej 67 nene, dhe më pastaj dhamë qëndrimin tonë se një draft statut i tillë, çfarë dëgjuam e lexuam, sidomos lexuam, është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën, kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, demokracinë, vlerat evropiane, të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane, dhe përkundër kësaj ne do të jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje.

Andaj, me këtë rast, unë propozova një draft vizion si Kryeministër i Republikës së Kosovës përkitazi me nenin 7 të Marrëveshjes Bazike, duke pasur në konsideratë edhe nenin 10. Dhe gjithsej në 10 plus 1 pika, apo 11 pika unë kam propozuar një vizion, pra një draft vizion, se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet, çfarë do të duhej të ishte korniza e cila e rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, të pakicave kombëtare, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë.

Besoj që ajo do të trajtohet me seriozitet nga ndërmjetësit, nga fasilituesit Borrel dhe Lajçak, sepse në atë mënyrë ne do të mund të ndërtojmë diçka të mirë, diçka të re, të drejtë, të vërtetë, të dobishme për të gjithë, jo vetëm pra për serbët, sepse serbët duhet të jetojnë në shtetin tonë, të jenë anëtarë me të drejta dhe obligime në shoqërinë tonë dhe në këtë mënyrë bashkërisht të krijojmë shoqëri e cila është kohezive së brendshmi dhe që nuk e lë askënd prapa. Ky ishte vizioni të cilin e prezantova unë.

Me këtë rast, më duhet të theksoj që dorëzova tek ndërmjetësit edhe një dokument mbi atë se si nga 27 shkurti, kur jemi pajtuar për Marrëveshjen Bazë, Beogradi zyrtar e ka shkelur atë. Dhe nga ai dokument shihet qartë, në mënyrë faktike të dokumentuar se nga 11 nene të Marrëveshjes Bazë, 8 prej tyre i ka shkelur Beogradi zyrtar. Pra, vetëm në muajt mars e prill janë shkelur 8 nga 11 nene.

Gjithashtu, kam dorëzuar edhe një dokument ku janë tri deklarata të presidentit të Serbisë, se si ai thotë që nuk është pajtuar me Marrëveshjen Bazë, si propozim evropian, se si nuk do ta zbatojë atë në tërësi, andaj unë kisha nevojë për një garancion se kemi soliditet të procesit meqenëse kemi marrëveshje, dhe kemi siguri ne si palë, meqenëse kemi marrëveshje, dhe kjo mu tha qartazi nga ndërmjetësit Borrel dhe Lajçak, se kemi marrëveshje, pra ekziston marrëveshja dhe 27 shkurti në Bruksel dhe 18 marsi në Ohër njëmend kanë ndodhur. Pra, ato janë ngjarje në të cilat ne jemi edhe akterë, edhe dëshmitarë, andaj nuk do të mund të mohohen nga askush.

Gjithashtu ua dhashë dhe një dokument për të treguar që koordinatorja e Ekipit Menaxhues znj. Danijela Vujiçiq, në fakt ka dhënë betim në Parlamentin e Serbisë dhe ajo ndodhet në konflikt të interesit. Pra, kam renditur disa fakte për koordinatoren e Ekipit Menaxhues.

Por, ajo çfarë është e qartë sot, është se me rastin e prezantimit të këtij draft statuti, mund të thuhet që Ekipi Menaxhues është dekomisionuar, meqenëse nuk ka funksion, rol e as status më. E kanë dorëzuar draftin. Unë ua thashë në mënyrë të argumentuar, të arsyeshme, të logjikshme se është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë dhe rrjedhimisht është mirë që sa më parë të fillojmë diskutimet mbi bazën e një draft vizioni vleror çfarë kam propozuar unë sot.

Draft statuti që ka propozuar Ekipi Menaxhues, i cili pra sonte dekomisionoj veten me rastin e prezantimit të draft statutit, është rezultat i dëshirës për Republika Srpska në Kosovë.

Qartazi ekziston dëshira për Republika Srpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë statut. Ndërkohë që, draft vizioni që propozova unë, mund të them që është inspiruar prej një marrëveshje që ka bërë Serbia tashmë për normalizim. Është marrëveshja e Serbisë me Kroacinë. Serbia dhe Kroacia kanë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, ku parashihen edhe të drejta, dispozita mbrojtëse për pakicën kombëtare serbe në Kroaci. Dhe unë jam inspiruar prej atij modeli, meqenëse siç dihet nga shpërbërja e dhunshme e ish-Jugosllavisë, Kroacia doli si shtet i pavarur edhe ne si Republikë e Kosovës jemi pjesë e të njëjtit proces të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Duke pas parasysh, që Kroacia edhe është anëtare në Bashkimin Evropian, edhe është anëtare në NATO, edhe i ka normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, e ne si Republikë e Kosovës aspirojmë edhe në NATO, edhe në Bashkimin Evropian, besoj që ka qenë një model i duhur prej nga unë kam marrë frymëzim që të shkruaj këtë draft vizion me 11 pika apo në 10 plus 1 që të jem më i saktë.

Në vijim do të ketë edhe takime të tjera. Pra, unë kam ardhur në mirëbesim, me vullnet të mirë, me qëllime të mira, që sa më parë ta zbatojmë në plotni Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit si pjesë integrale, sepse kemi nevojë për normalizim evropian e të fqinjësisë së mirë midis dy shteteve tona Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

(Kosova Sot Online)