Ministria e Drejtësisë tregon çfarë ndryshime ka bërë në Projektkodin Civil

  • A.P /
  • 04 May 2023 - 17:00
Ministria e Drejtësisë tregon çfarë ndryshime ka bërë në Projektkodin Civil

Në mars të vitit të kaluar, projektkodi civil, nuk kishte arritur të marrë votat e mjaftueshme nga deputetët e Kuvendit. Kundër këtij projektkodi patën votuar deputetët e partisë në pushtet, por edhe deputetë nga subjektet tjera, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ministria e Drejtësisë, në një përgjigje, ka thënë se drafti i Kodit Civil është i finalizuar me ndryshimet “adekuate” në nenin 1138 dhe se posa të finalizohet në Zyrën e Kryeministri, ai do të bëhet publik dhe do të procedohet për votim.

“Drafti i Kodit Civil tashmë pothuajse është i finalizuar, me ndryshimet adekuate edhe në nenin 1138. Shumë shpejtë, posa të finalizohet nga Zyra e Kryeministrit, i njëjti do të jetë publik dhe do të procedohet për votim”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

Ministria e Albulena Haxhiut ka treguar edhe ndryshimet që janë bërë në këtë projekt kod.

“Ndryshimet në Kodin Civil janë: Parimeve dhe barazisë të gjithë qytetarëve para ligjit dhe mos-diskriminimi; Burimet e së drejtës civile; Harmonizimi me direktivat e BE-së dhe Acquis comunitares dhe standardet tjera ndërkombëtare;

-Harmonizimi i dispozitave ligjore të ligjit për detyrimet duke i evituar konfliktet e ligjit dhe paqartësitë; Sqarimi dhe lehtësimi i zbatimit të ligjit – dispozitave për kontratat që do të ndikon edhe në të bërit biznes dhe sigurinë më të madhe të qytetarëve; Janë saktësuar afatet e parashkrimit (humbjes ) së kërkesave – të drejtave nëse ato nuk kërkohen me kohë, p.sh borxhit, përmbushjes së kontratave, kompensimin e dëmit etj;

-Janë sqaruar të drejtat pronësore; Shumë aspekte të mënyrave të fitimit të pronësisë janë përfshi si dispozita të reja që nuk kanë qenë deri me tani p.sh fitimi i pronësisë me vendim të organit shtetëror, me bashkimin e sendeve’

-Është siguruar më mirë barabarësia para ligjit për të gjithë personat në raportet familjare; Është siguruar një mbrojtje më e mirë e të drejtave pronësore për gratë, ku pasuria është e barabartë 50%:50% për secilin bashkëshortë; Është arritur një siguri më e madhe e mbrojtjes së fëmijëve dhe bashkëshortit/es gjatë shkurorëzimit; Të drejtat e fëmijëve janë rregulluar në pajtim me standardet më të mira ndërkombëtare që gjithmonë të mbrohet interesi më i mirë i fëmijëve, duke i dhënë mundësi edhe fëmijës 6 vjeçare që të dëgjohet në çdo procedurë kur vendoset për interesat; Çështja e martesave të personave me sekse të njëjta dhe bashkëjetesave civile është adresuar ashtu që do të rregullohet me ligj të veçantë;

-Janë hartuar dispozita ligjore që garantojnë barabarësinë efektive në trashëgimi duke u siguruar që edhe gratë të arrin ti realizojnë më mirë të drejtat e trashëgimisë (edhe pse kjo e drejtë ka qenë e garantuar, me Kodin Civil janë paraparë dispozita që e sigurojnë secilin në gëzimin e të drejtës së tij/saj me një procedurë transparente par noterëve dhe gjykatave); Heqja dorë nga trashëgimia si e drejtë e trashëgimtarëve, mund të bëhet vetëm duke u siguruar një procedurë transparente dhe njoftuar palët/trashëgimtarët me pasojat që ka heqja dorë; Bashkëshortët që jetojnë në Bashkëjetesë të cilët nuk kanë lidhur martesë dhe nuk kanë metresë me persona tjerë, e kanë të drejtën e trashëgimisë nëse kjo bashkësi ka zgjatur 5 vite, ndërsa në rastin kur kanë fëmijë të ketë zgjatur 3 vite”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Ndërsa para dy javësh, ministrja Haxhiu ka thënë se janë në koordinim me deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që Kodi Civil të votohet.

“Ju e dini se unë kam dhënë qëndrim sa i përket Kodit Civil dhe unë kam dhënë qëndrim sa i përket rrëzimit nga ana e Kuvendit, megjithatë ka qenë nën mandatin e tyre që ta vlerësojnë ashtu, paraprakisht ne duhet të sigurohemi që Kodi Civil kalon dhe për këtë arsye kjo na ka marrë kohë sepse jemi në koordinim me deputetët e Grupit Parlamentar dhe natyrisht se kemi nevojë edhe për ndihmën e opozitës”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)