Bombula e gazit i merr jetën të moshuarës

  • A.P /
  • 07 May 2023 - 17:00
Bombula e gazit i merr jetën të moshuarës

Si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në banesën ku jetonin dy të moshuar, ka shkaktuar vdekjen e 84 - vjecares dhe plagosjen e bashkëshortit të saj, ndërsa shtëpia është rrafshuar në tokë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "11 Janari" në Kuçovë ndërsa të moshuarit jetonin në kushte të vështira ekonomike.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në qytetin e Kuçovës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:40 minuta në lagjen "11 Janari" në këtë qytet. Dy bashkëshortët Mustafa dhe Alije Kosova janë zgjuar herët për të pirë kafen e mëngjesit, por pasi kanë ndezur bombolën e gazit, ajo ka shpërthyer. Si pasojë e shpërthimit, banesa është shembur tërësisht, duke zënë poshtë rrënojave dy bashkëshortët.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe zjarrfikësish, që kanë bërë të mundur nxjerrjen fillimisht të 84-vjeçares Alije Kosova që ishte pa jetë poshtë rrënojave dhe pas saj, 86-vjeçarin Mustafa Kosova, që ishte plagosur rëndë. Ky i fundit është transportuar fillimisht drejt Spitalit Rajonal Berat, ku pasi mori ndihmën e parë u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë pasi ka pasur dëmtime dhe djegie në më shumë se 70% të trupit.

Ndërkohë viktima është transportuar drejt morgut për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore. Bashkëshortët Kosova jetonin të vetëm në banesë, 3 djemtë dhe vajza ishin të martuar dhe jetonin jashtë vendit. Viktima ishte e paralizuar prej 2-vitesh dhe për ta kujdesej gjatë ditës një grua që paguhej nga fëmijët, e cila pastronte dhe gatuante. Komshinjtë e familjes Kosova tregojnë se shpërthimi ishte i fuqishëm. Më pas ata pohojnë se dolën jashtë dhe mësuan çfarë kishte ndodhur.

Policia ka nisur hetimet në përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave për dokumentimin ligjor të ngjarjes.

(Kosova Sot Online)