IFIMES: Edi Rama bazohet te droga dhe blerja e votës

  • A.P /
  • 09 May 2023 - 15:14
IFIMES: Edi Rama bazohet te droga dhe blerja e votës

Një nga institutet studimore më të rëndësishme jo vetëm në Ballkan dhe në botë, ai për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit, me qendër në Lubjanë të Sllovenisë, ka publikuar një analizë në lidhje me zgjedhjet lokale në Shqipëri.

Analiza mban titullin “Zgjedhjet vendore në Shqipëri, zgjedhje mes karteleve të drogës ose një republike parlamentare”. Sipas analizës, shqiptarët do të kenë mundësi të zgjedhin nëse duan të kenë ende kartele droge dhe një pushtet që qëndron në këmbë nga blerja e votës dhe frikësimi, apo të zgjedhin një republikë parlamentare, e cila u është mohuar gjatë dhjetë viteve të fundit.

“Zgjedhjet vendore përfaqësojnë një lloj zgjedhjeje për qytetarët e Shqipërisë, nëse duan të kenë një kartel droge që do të sundojë vendin dhe/ose një republikë parlamentare, e cila më së shumti u është mohuar apo vjedhur qytetarëve në 10 vitet e fundit. Zgjedhjet duhet të jenë transparente, të lira dhe të ndershme pa blerë votues dhe vota nga “fondet e zeza”, të cilat sigurohen nga paratë e pista nga biznesi i drogës dhe trafikimi i qenieve njerëzore, sepse të ardhurat nga biznesi i drogës tejkalojnë madhësinë e buxhetit të shtetit shqiptar. Koncepti politik i mbajtjes së Edi Ramës në pushtet bazohet në blerjen e votave dhe frikësimin dhe për këto qëllime ai ka shuma të pakufizuara parash me origjinë të dyshimtë dhe një aparat represiv”.

Analiza vijon më tej, duke evidentuar se në Shqipëri korrupsioni është i pranishëm në çdo segment të qeverisjes, ndërsa presionet politike, sipas raportit, kanë frikësuar gjyqësorin të hetojë në mënyrë efikase.

“Presionet politike, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e kanë penguar gjyqësorin të funksionojë plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase. Korrupsioni është i pranishëm në të gjitha segmentet dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes, përfshirë prokurimin publik dhe partneritetin publiko-privat. Qeveria e Edi Ramës rezultoi e pasuksesshme në eliminimin e pasojave ekonomike dhe sociale të tërmetit të trefishtë të vitit 2019. Pyetja e pashmangshme për Edi Ramën është, pse Shqipëria është ende bindshëm vendi më i varfër në Evropë, ndërkohë që ka një potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi?”.

Duke u ndalur te zgjedhjet lokale të 14 majit, raporti thekson se fushata është fokusuar në qytete të mëdha si Tirana, Elbasani dhe Durrësi, ku sipas sondazheve ka një shkallë barazie mes Partisë Socialiste dhe koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”.

“Edhe pse ka një luftë për çdo mandat dhe çdo votë, fushata zgjedhore është ende e fokusuar në qytetet e mëdha si Tirana, Elbasani dhe Durrësi. Sondazhet e opinionit publik tregojnë një shkallë të drejtë barazie mes Partisë Socialiste dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” dominon në veri të Shqipërisë (Shkodër, Tropojë, Kukës, Lezhë dhe Has), ndërsa mbështetja po rritet edhe në jug të vendit”.

Në analizë raportohet edhe për probleme të tjera që lidhen me trafikun e drogës, fuqizimin e grupeve kriminale dhe korrupsionit, që sipas raportit, janë bërë shkak që Shqipërisë i janë mbyllur deri më tani rrugët e integrimit në BE.

(Kosova Sot Online)