Kundrejt skandalit me kompaninë që lidhi kontratë për pasaportat MPB hesht

  • A.P /
  • 10 May 2023 - 16:04
Kundrejt skandalit me kompaninë që lidhi kontratë për pasaportat MPB hesht

Kundrejt kontratës së realizuar me kompaninë “Veridos Gmbh”, e cila ka aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, ministria që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla por edhe vetë ai kanë zgjedhur heshtjen, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Mediet kishin raportuar ekskluzivisht se në kohën kur MPB e shpërbleu me tender mbi 4 milionë euro kompaninë gjermane “Veridos Gmbh” për furnizimin me material për pasaporta, leternjoftime dhe patentë-shoferë, kjo e fundit kishte aktakuzë për veprën penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.

As gati pas një jave nga ky raportim, MPB nuk ka kthyer përgjigje se pse e ka shpërblyer me tender kompaninë që akuzohet se i ka shkaktuar dëm financiar buxhetit të shtetit.

Aktakuza i ishte ngritur kompanisë në gusht të vitit 2022, ndërsa disa muaj më vonë, në dhjetor 2022, MPB i dha asaj tender në vlerë mbi 4 milionë euro.

Detaje nga aktakuza që ka ngritur Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Në aktakuzë thuhet se si i pandehuri V.U në pikën doganore në Merdare me qëllim që t’i sjell përfitim të kundërligjshëm pasuror vetes apo tjetrit, ne cilësinë e personit të autorizuar për proceduat e zhdoganimit i ka paraqitur Doganës së Kosovës dokumente të rrejshme lidhur me sasinë e pasaportave.

Në faturën e prezantuar ai ka paraqitur vetëm 175 mijë pasaporta, derisa pas kontrollit nga ana e zyrtarëve doganorë ka rezultuar që aty janë edhe 25 mijë pasaporta të tjera të padeklaruara.

Përmes këtij veprimi V.U ka shkaktuar dëm në buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 29 mijë e 389 euro e 50 centë, pretendon prokuroria.

Ndërkohë i pandehuri i dytë R.W (shtetas gjerman) në vazhdimësi që nga viti 2016, 2017, 2018 dhe 2020 në pikën doganore të Merdares në cilësinë e personit  përgjegjës dhe të autorizuar të subjektit afarist, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka bërë shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

R.W siç thuhet në aktakuzë, përmes personit të autorizuar për zhdoganimin e mallit, ka prezantuar dokumente të rrejshme lidhur me zhdoganimin e mallit. Aktakuza specifikon se shmangia e pagesës së taksave doganore kap shumën e 24 mijë e 651 eurove  dhe tatimin mbi vlerën e shtuar 148 mijë e 607 euro.

R.W në këtë formë i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë totale prej 173 mijë e 258 euro e 58 centë.

Barra për dëmin e shkaktuar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e 173 mijë e 258 euro e 58 centë i është ngarkuar edhe subjektit afarist “Veridos GMBH” ku i dyshuari R.W është person i autorizuar.

Lidhur me këtë çështje, kompania nuk ka dashur të prononcohet.

“Faleminderit për kërkesën tuaj dhe interesimin tuaj në kompaninë tonë. Ju lutemi kuptojeni se ne përgjithësisht nuk jemi në gjendje të komentojmë mbi çështjet ligjore në lidhje me marrëdhëniet me klientët. Nëse keni pyetje specifike në lidhje me produktet ose shërbimet tona, ne do të jemi të lumtur t’ju ofrojmë informacion”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Veridos Gmbh” .

Kjo kompani kishte fituar tender nga MPB-ja edhe më parë.

(Kosova Sot Online)