
Power: Mbështetja nga SHBA do të jetë e palëkundur në javët e ardhshme

Mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Serbinë dhe Kosovën, e premtoi të mërkurën administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Do të duhet guxim politik për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, të pranueshme për të dyja palët, por mbështetja nga Shtetet e Bashkuara do të jetë e palëkundur në javët e ardhshme, ndërsa Serbia dhe Kosova punojnë për të hedhur hapat e ardhshëm”, u tha Power gazetarëve në Beograd.
Power foli pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministren Ana Bërnabiç. Nga Serbia, ajo do të udhëtojë për në Kosovë, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.
Uashingtoni dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, por Serbia, së bashku me Rusinë dhe Kinën, jo. Uashingtoni dhe Brukseli kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, për shkak të luftës në Ukrainë.
“Siç i thashë presidentit Vuçiç, përkushtimi i tij për dialogun me Kosovën, për kauzën e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha Power. “Dhe Shtetet e Bashkuara ofrojnë mbështetjen e tyre të fuqishme”.
(Kosova Sot Online)