Presidentja Osmani me tone të ashpra në dretim të BE-së: Të mos i kërkojë Kosovës diçka që nuk është në marrëveshje

  • S.A /
  • 16 May 2023 - 11:59
Presidentja Osmani me tone të ashpra në dretim të BE-së: Të mos i kërkojë Kosovës diçka që nuk është në marrëveshje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kërkesat që Asociacioni të jetë parakusht për zbatimin e neneve të tjera të marrëveshjes Kosovë-Serbi, nuk e ndihmojnë procesin e dialogut, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ajo ka theksuar se interpretimet e reja të BE-së që kërkojnë nga Kosova të dalë përtej asaj që është e shkruar në letër janë të gabuara. Përkitazi me këtë, presidentja Osmani tha se Kosovës nuk duhet t’i kërkohet të bëjë diçka që fare nuk është në marrëveshje.

Këto komente Osmani i bëri pas ceremonisë së themelimit të shoqatës së miqësisë Kosovë-Austri. Gjatë ditës së djeshme, në Bruksel është mbajtur rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash. Ky rund bisedimesh kishte fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit.

(Kosova Sot Online )