McCaul: Gati padia kundër sekretarit Blinken

  • A.P /
  • 16 May 2023 - 21:52
McCaul: Gati padia kundër sekretarit Blinken

Një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Republikane në SHBA thotë se do padisë Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kongresmeni Michael McCaul, që drejton Komisionin e Çështjeve të Jashtme në Kongres, tha se do ngrejë padi ndaj Blinken se ka penguar punimet e legjislativit amerikan.

Padia për shpërfillje të Kongresit vjen pasi Blinken refuzoi disa herë që t’u përgjigjet fletëthirrjeve të lëshuara nga McCaul.

Sipas Fox News, kongresmeni amerikan ka në plan që të paraqesë padinë e tij ndaj Blinken më 24 maj. Më pas padia do të kalojë për miratim në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Unë nuk e marrë lehtë këtë sepse një Sekretar Shteti nuk është paditur kurrë për shpërfillje të Kongresit më parë,” tha McCaul për Fox News.

“Dhe unë mendoj se sekretari e kupton këtë gjë dhe rëndësinë e saj. Ata ndoshta nuk preferojnë që të shkojmë drejt kësaj rruge. Por nëse nuk na respektojnë, ne jemi të përgatitur të ecim përpara javën e ardhshme me një vlerësim për padinë e pengimit të punës së Kongresit,” tha kongresmeni.

Edhe nëse miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, akuza për shpërfillje do të ishte një veprim simbolik pasi Departamenti i Drejtësisë i presidentit Biden ka të ngjarë që të refuzojë të ndjekë penalisht çështjen.

Blinken dhe Departamenti i Shtetit kanë refuzuar disa herë thirrjet për të dorëzuar dokumente për tërheqjen kaotike të SHBA nga Afganistani.

(Kosova Sot Online)