Gjeorgjianët tërbohen me Rusinë

  • A.P /
  • 19 May 2023 - 21:42
Gjeorgjianët tërbohen me Rusinë

Pas katër vitesh mungesë, në Gjeorgji kanë rinisur fluturimet nga Rusia. Një fakt që ka ngjallur protesta të forta në kryeqytetin Tbilisi, ku demonstruesit mbanin pankarta ku shkruhej “Nuk jeni të mirëpritur”, drejtuar avionëve që mbërrinin në vend.

Pushteti vendor ka festuar me entuziazëm kthimin e këtyre fluturimeve direkte nga Rusia, pasi thonë se “qytetarët tanë do të përfitojnë, u desh të bënin një devijim trefish më të shtrenjtë”, shpjegon kryetari i partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, Irakli Kobakhidze. Sipas qeverisë, rreth një milion qytetarë të etnisë gjeorgjiane jetojnë në Rusi dhe do të përfitojnë nga kjo masë.

Sido që të jetë, shumica e qytetarëve gjeorgjianë janë kundër këtij vendimi, ndërsa qindra organizata e konsiderojnë atë një “sabotim të drejtpërdrejtë” të aspiratave të Gjeorgjisë për të hyrë në Bashkimin Evropian. Vendi ka besim se, përpara fundit të këtij viti, Brukseli do të miratojë kandidaturën e tij për t’u bashkuar me BE.

Pas kësaj lëvizjeje, ekspertët konsiderojnë se mund të ketë interes nga ana e liderit të Kremlinit, Vladimir Putin, i cili nënshkroi kohët e fundit një dekret për t’i dhënë fund ndalimit të njëanshëm të Moskës për fluturimet direkte, i vendosur në përgjigje të protestave masive anti-ruse që u zhvilluan në Tbilisi në vitin 2019. Moska gjithashtu ka lehtësuar masat për hyrjen e qytetarëve gjeorgjianë në vend, duke lejuar akses deri në 90 ditë pa vizë.

Por, pavarësisht këtyre “koncesioneve” ruse, marrëdhënia mes dy shteteve është prishur. Salome Zurabishvili, presidentja pro-evropiane e Gjeorgjisë, denoncon një “provokim të ri rus”. Nga ana e saj, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Gjeorgji, Kelly Degnan, vuri në dyshim vendimin e Gjeorgjisë për të pranuar “një dhuratë” nga një vend që ajo e quan agresor: “Mendoj se pyetja e rëndësishme është pse. Pse tani? Pse Putini po i bën tani këto lëshime, këto oferta për Gjeorgjinë? Cili është çmimi që do të duhet të paguajë Gjeorgjia? Të gjithë e dimë se Putini nuk jep asgjë pa kërkuar diçka në këmbim”.

Kjo lëvizje, për më tepër, mund të vërë në vështirësi aksesin teorik të vendit në Bashkimin Evropian. Peter Stano, zëdhënësi i çështjeve të jashtme të BE-së, siguron se ky vendim ngre pikëpyetje në lidhje me angazhimin e Gjeorgjisë: “Ne dhe partnerët tanë nuk lejojmë fluturime nga Rusia, fluturime në Rusi dhe fluturime mbi Rusi”.

(Kosova Sot Online)