Macron ia lë fajin autoriteteve të Kosovës për situatën në Veri

  • A.P /
  • 31 May 2023 - 14:02
Macron ia lë fajin autoriteteve të Kosovës për situatën në Veri

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka bërë përgjegjëse autoritetet Kosovës për përkeqësimin e situatës në veri të vendit. Planifikon që gjatë kësaj jave t’i takojë Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidentin serb, Aleksandër Vuçiqin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Sikurse SHBA-ja, edhe Franca e mban përgjegjëse Kosovën për tensionet në veri, që nisën pasi të premten kryetarët e rinj shqiptarë u futën përmes njësive speciale të Policisë në objektet komunale, përkundër rezistencës së turmave të qytetarëve serbë.

Macron ka folur sot në një konferencë në Bratislavë – ku po merr pjesë edhe Kryeministri Kurti – rreth zhvillimeve në Kosovë.  

“Shumë qartë, është përgjegjësia e autoriteteve të Kosovës për situatën e tanishme dhe dështimin e respektimit të një marrëveshje, e cila megjithatë ishte e rëndësishme dhe është arritur pak javë më parë”, ka thënë Macron.

Macron ka thënë tutje se shpreson se do t’i takojë kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe liderët e Kosovës dhe Serbisë në fund të kësaj jave, për t’i diskutuar zhvillimet në veri.

(Kosova Sot Online)