Kamberi njofton se Policia i ka liruar aktorin dhe drejtorin e Shtëpisë së Kulturës së Bujanocit që i ndaloi dje

  • E.K /
  • 10 June 2023 - 15:22
Kamberi njofton se Policia i ka liruar aktorin dhe drejtorin e Shtëpisë së Kulturës së Bujanocit që i ndaloi dje

Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka njoftuar se është liruar drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili dhe aktori Gani Veseli, të cilët u ndaluan dje nga policia serbe, përcjell “Kosova Sot Online”.

Ndalimi i tyre u bë një ditë para premierës së dy filmave që ishin planifikuar të shfaqeshin sot. Shfaqja e filmave “Heshtje vret” dhe “I pabesi” ishin të financuar nga Qeveria e Kosovës.

Deklarimi i plotë i Kamberit:

Jemi mirë. Jemi liruar nga organet e policisë në Bujanoc. Filmat nuk do të mbahen deri me një kohë të pacaktuar.

Viti 2023.

Vendi Bujanoc. Ballkani Perëndimor.

Policia dhe shërbimi në aksion.

Qëllimi: Sulm ndaj kulturës, traditës e identitetit kombëtar

Autorët gjysmë të njohur.

I paqartë është motivi i angazhimit kaq të madh i policisë në Bujanoc për të marrë në bisedë informative dhe për të ndaluar premierën e dy filmave të aktorëve shqiptarë një ditë para se ata të shfaqen.

Edhe më e paqartë është frika që ata kanë nga përmbajtja e filmave që as nuk i kanë parë.

Parandaluan premierën për pretendimin rreth përmbajtjes në vend që të lejonin që përmbajtjen ta mësojnë nga premiera.

“Heshtje vret” dhe “I pabesi” janë emrat e dy filmave të ndaluar.

E emrat e tyre sikur na dërgojnë edhe porosi.

Për të mos na vrarë heshtja duhet të flasim e veprojmë. Prandaj në cilësinë e deputetit popullor do të i drejtohem institucioneve përgjegjëse për të kërkuar sqarime rreth këtij veprimi të shëmtuar dhe do të njoftojë të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare për veprimet që ushtrohen ndaj shqiptarëve të Luginës.

Filmat do t’i shohim.

Në premierën edhe më të madhe se sa do të ishte kjo e sodit.

(Kosova Sot Online)