Sveçla niset drejt Jarinjes

  • A.P /
  • 14 June 2023 - 17:40
Sveçla niset drejt Jarinjes

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është nisur me urgjencë për në pikën kufitare në Jarinjë, pas kidnapimit të policëve kufitarë të Kosovës nga forcat serbe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kanë dyshime se pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë arrestuar nga ushtria e Serbisë dhe se kjo është bërë si hakmarrje prej Serbisë për arrestimin e djeshëm të Millun Millenkoviqit.

Kurti ka thënë që hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është “agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim”.

Kryeministri ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ka ftuar faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë.

“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, ka shkruar Kurti.

(Kosova Sot Online)