Kryeministri Edi Rama: “KFOR do e çojë dosjen në NATO”, 3 policët nuk kanë bërë asnjë krim, urgjente kthimi në shtëpi

  • S.A /
  • 16 June 2023 - 12:10
Kryeministri Edi Rama: “KFOR do e çojë dosjen në NATO”, 3 policët nuk kanë bërë asnjë krim, urgjente kthimi në shtëpi

Kryeministri Edi Rama tha se rrëmbimi i tre policëve nga forcat serbe dhe mbajtja deri më sot është i pajustifikueshëm. Ai u shpreh se ata nuk kanë kryer asnjë krim dhe se duhet të kthehen tek familjet e tyre, transmeton "Kosova Sot Online".

“Qysh nga sekonda e parë e daljes së lajmit jemi angazhuar me të gjitha kanalet e mundshme për lirimin e një ore me parë për tre punonjësit e policisë. Debati mbi shkeljen apo mosshkeljen e të cilëve është i rëndësishëm në nivelin politik dhe në nivelin e marrëdhënieve ndërshtetërore, por nuk ka asnjë rëndësi për tre burra që janë sot larg shtëpisë së tyre dhe që duhet të kthehen menjëherë. Pastaj debati, ishin këtej apo andej dhe konkluzionet përkatëse për të mund të vazhdojnë. Ajo që është me rëndësi është që ata nuk mund të mbahen për shkelje kufiri në Serbi, duhet të kthehen në shtëpitë e tyre se nuk kanë bërë asnjë krim. Edhe sikur ta presupozojmë që janë kapur disa qindra metra në anën tjetër apo qindra metra në këtë anë njëra palë thotë kështu, tjetra palë thotë ashtu, pala tjetër thotë edhe kështu edhe ashtu. Nuk ka asnjë vlerë kjo në raport me ata. Shkelje kufiri do të thotë kthehu mbrapa. Kaq. Mbajtja e tyre është e pajustifikueshme nëse vazhdon përtej ditës së sotme. Është e pajustifikueshme që në fillim, por po them që duhet të mbarojë”, tha Rama.

Sa i përket pretendimeve se në cilin territor ndodheshin në momentin e ndalimit, Rama tha se KFOR nuk do të japë konkluzione publike, por dosjen përkatëse do ta dorëzojë në NATO.  

“Së pari është imediate, nevojë, urgjenca që të tre punonjësit e policisë së Kosovës të kthehen në shtëpi. Përtej pretendimeve që janë kapur këtu apo kanë hyrë atje, për të cilat KFOR nuk do të japë konkluzion publik,  por do të depozitojë dosjen përkatëse në NATO, është absolutisht e qartë që në të gjitha rastet, 3 efektivët nuk kanë bërë asnjë krim, edhe nëse do të supozonim që kanë shkelur vijën e kufirit, kjo ka vetëm një përgjigje, kthimin e tyre në shtëpi. Ne jemi të fokusuar qysh nga momenti i parë për ta bërë këtë të mundur, po përdorim të gjitha kanalet e mundshëm që kjo të ndodhë sa më parë.

(Kosova Sot Online )