Të gjitha dritëhijet e skandalit të Safet Gjicit: Nga videoja erotike te dorëheqja si kryebashkiak

  • S.A /
  • 17 June 2023 - 09:04
Të gjitha  dritëhijet e skandalit të Safet Gjicit: Nga videoja erotike te dorëheqja si kryebashkiak

Pas rastit të ish drejtuesit të Bashkisë së Dibrës Shukri Xhelili, i cili 7 vjet më parë, u filmua duke kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune, një tjetër skandal skandal seksual ka përfshirë politikën shqiptare ditën e djeshme.

Safet Gjici, dha sot dorëheqjen nga detyra pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje në të cilën ai shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e tij.

E para që reagoi pasi videoja u shpërnda në rrjete sociale ishte nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila njoftoi se kishte nisur, me iniciativë të saj, një procedim penal ndaj Gjicit.

Kryebashkiaku i Kukësit, njoftoi më pas, përmes një postimi në Facebook, dorëheqjen ndërsa kërkoi ndjesë publike ndaj “kujtdo që ka parë atë material të shëmtuar video”. Ndërkaq ai pranoi se kishte lidhje prej disa kohësh me vajzën me të cilën është filmuar, por nga ana tjetër i dha kësaj ngjarjeje sfond politik, duke pretenduar se ka rënë pre e një kurthi të organizuar sipas tij nga kundërshtarët politikë.

“Ndjesë të thellë publike çdokujt që sot ka parë atë material të shëmtuar video. Pas një fushate dhe përballjeje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rashë pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje. Ja arritën ta bëjnë në një formë tjetër të pistë atë që s’e bënë dot me votën e kuksianëve. Prej disa kohësh unë kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë, por sigurisht nuk kam asnjë justifikim për atë çka ka ndodhur pavarësisht se i rënë në kurth”, tha ai mes të tjerash.

Gjici mori një mandate të ri, në zgjedhjet vendore të 14 majit, si përfqësues i Partisë socialiste. Sipas të dhënave në video, filmimi rezulton të jetë realizuar 10 ditë më parë, rreth orës 16.00.

Pavarësisht njoftimit të Gjicit për dorëheqje, në përfundim të mbledhjes së saj, qeveria pati një reagim për ngjarjen duke theksuar se kishte vendosur shkarkimin e Gjicit nga detyra.

Ndërkaq, sipas nenit 105 i Kodit Penal, parashikohet që kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar marrëdhëniet e varësisë ose të detyrës, dënohet me burgim deri në tre vjet. Por, ky nen e përfshin Gjicin vetëm nëse vajza punon në Bashkinë e Kukësit, pra nëse është vartëse e Gjicit. Deri më tani nuk dihet nëse vajza është apo jo pjesë e administratës së Bashkisë. Gjici implikohet penalisht për faktin sepse marrëdhënien seksuale e ka kryer në zyrën e shtetit, duke pasjellë përfitime jo materiale.

(Kosova Sot Online )