Vuçiq refuzon përfundimisht të shkojë në Bruksel për takim me Kurtin

  • A.P /
  • 20 June 2023 - 18:01
Vuçiq refuzon përfundimisht të shkojë në Bruksel për takim me Kurtin

Pa u liruar të gjithë serbët e arrestuar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do të shkojë në Bruksel që të flasë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Edhe pse emisarët e SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak paralajmëruan pasoja për cilëndo palë që refuzon një takim të nivelit të lartë, Vuçiq duket i vendosur për t’iu përgjigjur negativisht thirrjes së kryediplomatit europian, Josep Borrell.

“Nuk do të shkoj të flas me Kurtin derisa të lirohet çdo serb i arrestuar, derisa të tërhiqen kryetarët e rrejshëm nga veriu, derisa policia speciale të tërhiqet dhe të ndalojë arrestimin e serbëve çdo ditë. Dhe pastaj do të diskutojmë se si të formohet ZSO në mënyrën më të shpejtë dhe në përputhje me atë që është nënshkruar”, tha sot Vuçiq.

Ndërmjetësi i Bashkimit Europian në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak tha se takimi për menaxhimin e krizave në Bruksel do të mbahet, pavarësisht deklaratave të liderëve të të dyja vendeve.

“Nëse do të refuzohej do të kishte pasoja serioze dhe negative”, tha ai në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Washington, ku pjesëmarrës ishte edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Lajçak shtoi se takimi që tha do të mbahet shumë shpejt, do të fokusohet vetëm në menaxhimin e krizës aktuale.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot në një konferencë për media se “jam i gatshëm dhe i interesuar që të shkoj në takimin e radhës në Bruksel”. Atje tha se është i interesuar “që të paraqes hollësisht këto të dhëna që i morëm dhe ta kuptojnë se deskalimi i situatës që po e kërkojnë të gjithë nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pakusht të tre policëve dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë”.

(Kosova Sot Online)