Osmani u tregon finlandezëve se kidnapimi i tre policëve ishte akt i agresionit prej Serbisë

  • E.K /
  • 22 June 2023 - 11:08
Osmani u tregon  finlandezëve se kidnapimi i tre policëve ishte akt i agresionit prej Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot takoi një delegacion të ambasadorëve dhe zyrtarëve të lartë nga Finlanda , përcjell “Kosova Sot Online”.

Osmani shprehu mirënjohjen e thellë të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për mbështetjen e Finlandës për rrugëtimin evropian të Kosovës.

Sipas Zyrës së Presidencës, ajo foli edhe për tendencat e vazhdueshme destabilizuese nga ana e Serbisë dhe vuri theks tek rëndësia e ballafaqimit me drejtësinë të grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia e që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët.

“Me këtë rast, në takim u diskutua edhe për tre policët e kidnapuar thellë në territorin e Republikës së Kosovës, gjë që Presidentja Osmani e vlerësoi si akt të pastërt të agresionit nga ana e Serbisë dhe theksoi rëndësinë e reagimit të unifikuar nga komuniteti ndërkombëtar me qëllim të lirimit të menjëhershëm të policëve që po mbahen padrejtësisht në Serbi”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)