Petkoviqi e quan Kurtin të çmendur

  • E.K /
  • 26 June 2023 - 13:44
Petkoviqi e quan Kurtin të çmendur

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha sot se vendimi i Gjykatës së Lartë në Kralevë për konfirmimin e aktakuzës kundër tre policëve të Kosovës dhe vendimi që ata të lirohen për t’u mbrojtur në liri është vendim gjyqësor dhe jo politik.

Ai ka shtuar se Serbia do të luftojë për të gjithë serbët e arrestuar në Kosovë.

“Këtu kemi një vendim gjykate, pavarësisht nëse jemi të kënaqur apo jo, Serbia është shtet ligjor dhe këtu duhet të respektohen vendimet e gjykatave, ndryshe nga Prishtina ku nuk ka gjykatë, nuk ka gjykatës, nuk ka prokurorë, por të gjitha vendimet e marra nga Kurti dhe Sveçla, të cilët arrestojnë serbët me lista, paraqesin prova inekzistente dhe gjithçka që është në kundërshtim me qasjen që mbizotëron në Serbinë qendrore”, tha Petkoviq.

Ai tha se Serbia do të vazhdojë të luftojë për çdo serb të arrestuar në veri të Kosovës dhe theksoi se nuk do të ketë bisedime me kryeministrin e Kurti, derisa të gjithë të jenë të lirë.

“Problemi është se në Prishtinë nuk ka shtet ligjor, por një të çmendur si Kurti që arreston, akuzon dhe i mban njerëzit në paraburgim”, tha Petkoviq.

Siç tha ai, do të bëhet presion i veçantë ndaj përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët duhet të bëjnë gjithçka që serbët të jenë të lirë.

(Kosova Sot Online)