Gjithçka rreth zhvillimeve të djeshme nga takimi Kurti-Lajçak

  • S.A /
  • 05 July 2023 - 08:19
Gjithçka rreth zhvillimeve të djeshme nga  takimi Kurti-Lajçak

Rreth tri orë ka zgjatur takimi i djeshëm i emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe kryeministrit Albin Kurti, transmeton "Kosova Sot Online".

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, tha se ky takim ishte i gjatë, i hapur dhe shumë i rëndësishëm. Ai shtoi se ka një mirëkuptim për nevojën për të ecur përpara në tre pikat që janë paraqitur, për depërshkallëzimin e situatës, zgjedhjet e parakohshme dhe kthimin në normalizimin. Po ashtu, shtoi se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë, por që të njëjtat implementohen nëse vendet anëtarë vendosin.

Pas takimit, Lajçak deklaroi se do të vazhdojnë me diskutimin, me qëllim të deeskalimit të situatës.

“Pata takime të rëndësishme me presidenten Osmani dhe zotin Kurti. Një takim i gjatë, i sinqertë, i hapur do të thosha shumë i rëndësishëm dhe tani më duhet të zgjedh fjalët e mia, por ajo që dua të them është se ka një mirëkuptim për nevojën për të ecur përpara në tre pikat që janë paraqitur, të cilat janë de-përshkallëzimi, zgjedhjet e parakohshme dhe kthimi në normalizim. Ne do të duhet të vazhdojmë diskutimet tona për hapat konkretë që do të na çojnë atje”, deklaroi ai.

Lajçak shtoi se edhe kryeministri Albin Kurti ka prezantuar propozimet e tij.

“Ai paraqiti pikëpamjet e tij, unë i paraqita idetë e mia, propozimin tim, prandaj takimi ishte i gjatë, por ishte shumë i rëndësishëm. Do të ndihmojë për të kuptuar më mirë pozicionet e njëri-tjetrit dhe ne jemi dakord që procesi të vazhdojë”, shtoi ai.

Bashkimi Evropian nuk është i lumtur, siç tha Lajçak, për vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

“Kjo nuk është për mua që të komentoj, nuk është pjesë e përgjegjësisë time. Qartazi BE-ja nuk është e lumtur që është në pozitë të prezantoj masa të caktuara dhe qëllimi i këtij misioni dhe këtyre diskutimeve është që të arrijmë në një fazë që masat do të ndalen dhe ne do të kthehemi në marrëdhënien e mëparshme”, deklaroi Lajçak.

Pas takimit me Kurtin, emisari i BE-së për dialogun u shpreh se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë.

“BE e ka bërë të qartë se ka sanksione të gatshme. Po ashtu për Serbinë dhe do të zbatohen nëse vendet anëtare vendosin se ajo nuk po vepron në përputhje me kërkesat e BE-së. Ky është vendim i shteteve anëtare. Do të jem nesër në Beograd. Dëshira ime nuk është që të ketë masa për Kosovën dhe Serbia. Dëshira ime është që të mos ketë masa por që t’i kemi të dyja palët në takim në Bruksel se si do ti zbatojnë marrëveshjet e shkurtit”, ka përfunduar Lajçak.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka theksuar emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik, në një takim që kanë pasur të martën në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për shtensionim dhe normalizim të situatës në veri.

“Theksoi që Qeveria e Kosovës nuk kontribuon assesi në eskalim dhe se Policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike. Po ashtu, Kurti konfirmoi që Policia e Kosovës e vendosur nëpër ndërtesat komunale nuk ka ndërmarrë operacione në rrethinën e atyre objekteve”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me rrugën përpara, Kurti, sipas njoftimit, ka deklaruar se neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e tregon qartë rrugën për zgjedhje të parakohshme nëpër komuna dhe se Qeveria në përpikmëri mbështetë procedurat ligjore.

“Ndërkaq, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, garanci është zbatimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes Bazike e cila sjellë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane për dy shtetet”, vijon njoftimi.

BE-ja konfirmoi javën e shkuar sanksionet ndaj Kosovës për mosndërmarrje të hapave për shtensionim në veri.
Ndonëse në BE nuk përdoret termi sanksione, masat janë sanksione në kuptimin e plotë të fjalës, ngase me to suspendohen takimet e komisioneve të përbashkëta, suspendohen programet e IPA-s e pezullohen edhe hapat për shqyrtimin e projekteve që ka dorëzuar Kosova për financim nga Korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor.

(Kosova Sot Online )