Reagim goditës i Ministrit Xhelal Sveça: Publikimin e përgjimeve dhe protestën e veteranëve i sheh si “luftë hibride” të Vuçiqit

  • S.A /
  • 15 July 2023 - 12:53
Reagim goditës i Ministrit  Xhelal  Sveça: Publikimin e përgjimeve dhe protestën e veteranëve i sheh si “luftë hibride” të Vuçiqit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi “po e humb betejën në terren me Kurtin”, dhe se “prandaj edhe po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë”, transmeton "Kosova Sot Online"

“Luftë hibride” të Vuçiqit, Sveçla e ka cilësuar publikimin e audio-incizimeve të Shefes së Grupit Parlamentar të VV’s, Mimoza Kusari-Lilës me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq dhe protestën e paralajmëruar të veteranëve të UÇK’së, pasi s’u përfshinë në Ligjin për pagën minimale.

“Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë. Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”, ka shkruar Sveçla.

Postimi i plotë:

Lufta hibride në aksion

Vuçiqi po e humb betejën në terren me Kurtin, prandaj edhe po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë.

Ai po e humb ndikimin në veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave.

Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA.

Belgjika dhe Britania e Madhe ia suspenduan licencat për prodhimin e armatimit, nën dyshimet se kishte furnizuar me municion e armatim edhe Rusinë e sanksionuar.

Në Beograd, çdo të shtune, tash e disa javë ka protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, dhe nuk duket se protestat do të ndalen shumë shpejt.

I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiqi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit.

Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë.

Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë.

Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit.

Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë.

Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë.

(Kosova Sot Online )