Jasharaj: Hekuran përballu tash me drejtësinë pasi u mundove t’i shkatërrosh sindikatat

  • A.P /
  • 16 July 2023 - 16:22
Jasharaj: Hekuran përballu tash me drejtësinë pasi u mundove t’i shkatërrosh sindikatat

Hekuran Murati është munduar që t’i shkatërrojë sindikatat, ka deklaruar kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas Jasharjt, tash ministri Murati duhet të përballet me drejtësinë.

“Turp e turpi ju mbuloftë se unë erdha në SBASHK për të udhëhequr me këtë sindikatë që mbrojti arsimin shqip në vitet e historisë sonë nga furtunat e pushuesit me betimin e premtimin dhënë punëtorëve të arsimit se do të ruaj figurën e mësuesit dhe pishtarëve të dijes”, shkruan Jasharaj në reagimin e tij.

“Ti e di cilën përgjigje ta dha para ca muajve prokuroria lidhur me gënjeshtrën e shpifjen tënd për mjetet në SBASHK dhe unë nuk dola të krekosem para medieve se me ju nuk ndjej më arsye të flas e të ballafaqohem se jeni hiçi i hiçit, por lexova se tani ti je ai që po ftohesh para drejtësisë”, vijon ai.

Ai shton se ky nuk do të jetë rasti i parë që Murati do të ftohet nga prokuroria.

“Ky nuk është rasti i parë që do të ftohesh se të kemi bërë tri kallëzime penale duke i besuar institucioneve të drejtësisë dhe e vërteta do të dal sheshit. Unë para se të nisem në rrugëtimin tim i jam betuar familjes, kolegeve e kolegeve që punuan më misionin e shenjtë të edukimit ët brezave dhe gjakut të dëshmorëve, që me emblemën e UÇK-së, i sollën lirinë këtij trualli dhe zërin shqip të ziles në shkollat e Kosovës se do të vazhdoj të jem i ndershëm, e ti kush je dhe kush do të jesh?”, përfundon ai.

Nga raportimet thuhet se Task Forca Anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, aktualisht është duke hetuar së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër të Qeverisë së Albin Kurtit.

Në këtë listë është edhe ministri Murati, i cili po hetohet në lidhje me rastin e dëmtimit të mësimdhënësve, të cilëve dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ua kishte ndalur pagat gjatë kohës së grevës.

(Kosova Sot Online)