
Hovenier dhe Rama nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi me ‘Autostrada Biennale’

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier, sot është takuar me artistin, Leotrim Fishekqiu, dhe me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, përcjell “Kosova Sot Online”.
Përparim Rama, i ka mirëpritur në zyrën e tij për nënshkrimin e një marrëveshjeje të bashkëpunimit.
Bëhet fjalë për nënshkrimin e marrëveshjes për ekspozitën ndërkombëtare ‘Autostrada Biennale’, e cila sivjet do të mirëpresë artistë nga Amerika për të qenë pjesë e projektit në Prishtinë.
“Kënaqësi për të nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Prishtinës Përparim Rama dhe bashkëthemeluesin e Autostrada Biennale, Leotrim Fishekqiu, për të sjellë artin dhe artistët amerikanë në Kosovë. Shkëmbimet e kulturës dhe artit ushqejnë lidhjet e forta njerëz-me-njerëz midis vendeve tona”, ka shkruar Hovener në një postim në Twitter.
(Kosova Sot Online)