“Pse kjo qasje e balancuar, nuk ka dyshim se Vuçiqi ka nxitur bojkotimin e zgjedhjeve” – pyetjet për Escobarin dhe deklaratat i dha para Komitetit për Punë të Jashtme

  • S.A /
  • 19 July 2023 - 08:19
“Pse kjo qasje e balancuar, nuk ka dyshim se Vuçiqi ka nxitur bojkotimin e zgjedhjeve” – pyetjet për Escobarin dhe deklaratat i dha para Komitetit për Punë të Jashtme

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar ka raportuar të martën para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me situatën, dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje tjera, transmeton "Kosova Sot Online ".

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor theksoi se janë të përkushtuara në shtensionim dhe se janë duke punuar për t’i çuar përpara shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimeve evropiane dhe transatlantike.

Ai ka folur edhe për Marrëveshjen e Ohrit, dukë thënë se i kërkohet Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial.

“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Ndërsa shton Escobar, sipas kësaj marrëveshjeje, Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne besojmë që të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte. Duhet të nisin ta kryejnë pjesën e tyre”, ka thënë Escobar.

Masat ndaj Kosovës, Escobar ka thënë se refuzon t’i quajë sanksionet, derisa ka përmendur se e vetmja gjë me të cilën nuk është pajtuar ShBA-ja ka qenë dërgimi me polici i kryetarëve në katër komunat veriore.

“Do të punojmë për realizimin e planit trepikësh”, ka thënë ai duke folur për rrugën përpara si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Escobar ka thënë se shpreson në përparim të rëndësishëm këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur për komunat veriore, Escobar, ka thënë se ka marrë zotime që Serbia nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës dhe se Serbia do të përballet me pasoja nëse vepron ndryshe.

“Kemi qenë shumë të ashpër ndaj Serbisë për sa i përket kushteve që kërkojnë për pjesëmarrje në proces demokratik që është në Kosovë, pra kemi marrë zotimin që nuk do ta kundërshtojnë, dhe janë pasojat për Serbinë nëse nuk e bënë këtë, por vazhdojmë të punojmë me BE-në që plani trepikësh të zbatohet”, ka thënë ai.

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë raportimit në Kongresin Amerikan, ka folur edhe për dhunën e serbëve lokalë gjatë protestave në veri të Mitrovicës.

Eskobar ka deklaruar se ka pasur tensione dhe dhunë të papranueshme ndaj gazetarëve, Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në veri.

Ai po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar Serbinë për sanksione të mundshme mandatore për shkak të blerjeve të pajisjeve ushtarake nga Kina dhe Rusia.

E lidhur me qasjen ndaj Kosovës, Escobar është pyetur nga kongresmeni nga Teksasi, Keith Self.

Self ka pyetur Escobarin për qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë, kur sipas tij nuk ka dyshim se Vuçiqi nxiti bojkotimin e zgjedhjeve në veri

“Po dëgjoj një lloj jo konsistence. Ju keni thënë që keni qenë në anën e Kosovës në çdo moment por tani po shohim një qasje më të balancuar. Por nuk ka dyshim se Vuçiqi ka nxitur bojkotimin e zgjedhjeve të Kosovës. Kjo nuk ka aspak dyshim. Vuçiqi i ka shtyrë zgjedhjet e veta edhe për shkak të zgjedhjeve të Kosovës”, ka deklaruar Self. Kongresmeni nga Teksasi ka insistuar edhe më tej në këtë pozicion neutral të Escobarit.

“Pse nuk kemi sanksione ndaj Serbisë kur e dimë se prej shumë vitesh importon armë nga Rusia”, pyeti ai.

Derisa Escobar është përgjigjur se sanksionet ndaj Serbisë duhet të plotësojnë edhe disa kritere.

“Këto sanksione nuk lidhen vetëm me blerjen e armatimit rus. Po të ishte kështu edhe ndaj Turqisë do të duhej vendosur sanksione. Në pyetje janë niveli i blerjeve dhe kapacitetet. Por e kemi paralajmëruar Serbinë”, ka deklaruar Escobar.

Self ka kërkuar një koment nga Escobari edhe një qëndrim të tij në lidhje me “përkëdheljen e Serbisë” në raport me Kosovën.

Derisa Escobar ka mohuar se po ndodh një gjë e tillë.

“Kjo qasje është e gabuar dhe ne kemi fakte. Në 60 ditët e fundit ne kemi mbështetur Kosovën për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës si dhe kemi njohur legjitimitetin e zgjedhjeve në veri edhe pse kanë dalë në zgjedhje vetëm 3%. Kemi sanksionuar edhe shefin e Inteligjencës së Serbisë”, ka deklaruar Escobar. Në fund Kongresmeni nga Teksasi i kërkoi Escobarit të mos lejojë ndikimin e Serbisë në zonën e NATO-s.

(Kosova Sot Online )