Avokati i Goxhajt jep detaje: Teatër absurd, e arrestuan policë me maska

  • S.A /
  • 01 August 2023 - 10:43
Avokati i Goxhajt jep detaje: Teatër absurd, e arrestuan policë me maska

Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i UÇK-së, është arrestuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës. Bashkim Nikolla, avokati i Dritan Goxhajt, ka deklaruar se arrestimi ka ndodhur dje në orët e paradites derisa ish-pjesëtari i UÇK-së ishte në makinën e tij, transmeton "Kosova Sot Online".

“Vet ai është arrestuar pasi ishte në makinën e tij personale, i është bërë atij kontroll, pas kësaj është bërë kontroll në banesën e tij. Aty kanë shkuar punonjës të policisë me maska, dhe i arrestuari ishte me pranga mbrapa shpine”, tha Nikolla.

Nikolla ka thënë se e gjithë bastisja e shtëpisë është bërë derisa familjarët e Goxhajt ishin aty.

“Ky teatër absurd është luajtur në sytë e fëmijëve të tij dhe familjes. Pas kësaj jam thirrur unë dhe kam shkuar ku kam kërkuar shpjegime, të cilat konsultojnë në atë se cila është akuza, për çfarë keni ardhur me çfarë mandati. Mu tha se tek Drejtoria vendore e Policinë në Tiranë do të shkoja që të më konfirmonin dokumentacionin përkatës lidhur me këtë arrestim”, ka thënë Nikolla.

Ai ka theksuar se personi në fjalë akuzohet për: “‘frikësim dhe pengim’ që përkthehet me referim të kodit penal të Kosovës. Sipas ligjit të miratuar në vitin 2019”.

(Kosova Sot Online )