Vuçiq ishte prezent në ndeshjen ku shpaloset një flamur, ku i bëhej thirrje ushtrisë serbe të kthehet në Kosovë

  • S.A /
  • 03 August 2023 - 08:15
Vuçiq ishte prezent në ndeshjen ku shpaloset një flamur, ku i bëhej thirrje ushtrisë serbe të kthehet në Kosovë

Në kryeqytetin e Serbisë rrugët janë mbushur me slogane fashiste që bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është mbishkrimi që shkruhet në këto grafitë që u shfaqen në Beograd në fund të korrikut, transmeton "Kosova Sot Online".

Një pankartë me të njëjtin mesazh është shpalosur edhe nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, gjatë një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina, më 26 korrik në Beograd.

Dhe në këtë ndeshje futbolli ishte prezent edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Për këtë ka reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, i cili tha se këta tifozë “shpesh dërgojnë mesazhe që Vuçiq nuk mund ose nuk dëshiron t’i thotë publikisht”.

“Ultra-mbështetasit e Crvena Zvezda “Delije” treguan një pankartë ku shkruhet “Kur do të kthehet ushtria në Kosovë” gjatë një ndeshjeje miqësore kundër klubit italian Fiorentina. E gjithë kjo ndërkohë që edhe Vuçiq ishte i pranishëm në tribuna. I gjithë aparati shtetëror është ndërtuar në Serbi për median, sportin, artin, kulturën, shkencën që të përdoren për mjete propagandistike dhe për të nxitur dhunën, terrorin, tensionet dhe luftën. Delije shpesh dërgon mesazhe që Vuçiq nuk mund apo nuk dëshiron t’i thotë publikisht. Ai ka nevojë për akte të tilla për të ushqyer urrejtjen dhe nacionalizmin etnik në opinionin publik”, ka thënë Bislimi.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka krahasuar këtë ngjarje me një të mëhershme të ngjashme.

“Në vitin 1990, tifozët e klubit serb të futbollit Crvena Zvezda, të udhëhequr nga mafiozi serb i paditur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Arkan, u revoltuan kundër Kroacisë. Për disa, kjo ishte një shkëndijë e luftërave që pasuan. Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera”, ka thënë Kurti.

Për këto grafitë ende nuk ka një reagim nga Beogradi zyrtar.

Nuk dihet se kush qëndron mbrapa grafitit “Kur ushtria kthehet në Kosovë”, por postimet me fotot e tyre shpërndahen në kanalet e djathtistëve në Telegram. Gjithashtu, ato shpërndahen në postimet në rrjetet sociale të disa anëtarëve të partive të djathta.

Sipas atyre njoftimeve, grafite me këtë varg ka edhe në qytete të tjera të Serbisë.

“Duket se disa forca nga e djathta, pas aksionit të ngjyrosjes filluan ta lyejnë qytetin”, ka theksuar Maja Zhiliq.

Në shkurt, aktivistët e organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe shoqatës Krokodil, në parkun në sheshin Slavija të Beogradit, ngjyrosen grafitin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

Tani, ky grafit është rishfaqur në të njëjtin vend.

Në një portal, i cili thuhet se është një portal informativ jozyrtar për të gjithë tifozët e Crvena Zvezdës, shkruhet se tifozët kanë krijuar grafite me atë mbishkrim në disa vende të Beogradit ditëve dhe javëve të fundit.

Në portal thuhet se ky është një reagim ndaj “shkatërrimit” të grafiteve pranë sheshit Slavija. Klubi i futbollit Crvena Zvezda nuk është prononcuar ndaj këtyre pretendimeve.

Zhiliq pranon se për të, si aktiviste, është shkatërrues që grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është rishfaqur në vendin ku ishte lyer.

Megjithatë, në rrugët e Beogradit shpesh është e zakonshme që të zënë vend thirrje apo edhe figura fashiste.

Nga fundi i vitit 2021 qyteti është përmbytur me vizatime të Ratko Mlladiqit, i dënuar i Hagës për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë.

Po ashtu, një bust i kriminelit të dënuar për krime lufte Slobodan Millosheviç qëndron në varrin e tij në qytetin e Pozharevcit.

Aty më herët pati bërë homazhe edhe kreu i Agjencisë së Inteligjencës serbe, nacionalisti Aleksandar Vulin, i cili vendosi lule në shenjë respekti për kriminelin e luftës bashkë me disa të rinj të partisë së tij.